Xhudistët e Kosovës iu kthehen të premten garave pas tetë muajsh

16:10 | 21 Tetor 2020
A. B.

Ekipi Olimpik i xhudos do të kthehet në gara, pas tetë muajsh shkaku i pandemisë Covid 19.

Shtatë garues do të marrin pjesë në Grand Slamin, që prej 23-25 tetor 2020 mbahet në Budapest të Hungarisë.

Grand Slami i Budapestit është njëra prej garave të pakta të nivelit të lartë që do të zhvillohen këtë vit dhe që vlejnë për pikë Olimpike.

Madje, kjo është gara e parë kualifikuese që prej shtyrjes së Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Ekspedita e xhudos ka kaluar me sukses sfidën e parë të testimit për Covid 19 nga Instituti Kombëtar Shëndetësor i Kosovës (IKSHPK), ndërsa një ritestim do ta kenë edhe sonte në Budapest.

Lajmit për rikthimin e garave i është gëzuar edhe trajneri, Driton Kuka, kampion Olimpik me Majlinda Kelmendin.

Kampionia Olimpike dhe dy herë kampionia e botës mungon në këtë garë.

“Së pari është me rëndësi që po nisin garat dhe po marrim pjesë me shumicën e ekipit”, thotë Kuka për ueb-faqen zyrtare të KOK-ut.

Pavarësisht mungesës së gjatë në gara, synimet e xhudos mbeten të njëjta, medaljet.

“Shpresoj të kthehemi me medalje. Konkurrenca duket të jetë shumë e fortë, duke i parë emrat e lajmëruar për garë. Në çfarë forme janë garuesit tanë, por edhe të tjerët, tashmë është diçka që duhet parë bazuar edhe në pauzën gati një vjeçare prej kohës kur kemi zhvilluar gara”, shton Kuka.

Distria Krasniqi (-48 kilogramë), Nora Gjakova (-57 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Loriana Kuka (-78 kg), Akil Gjakova (-73 kg) dhe Shigeki Nakamura (-66 kg).

Ky i fundit që ka marrë nënshtetësinë e Kosovës do të garojë për herë të parë në një garë të nivelit të tillë, bashkë me Flaka Loxhën.

Nakamura në fillim të këtij muaji fitoi medaljen e artë në Kupën Evropiane të mbajtur në Dubrovnik të Kroacisë.

“Për Flakën e Nakamurën duhet ta shohim ku e kanë vendin në nivele të tilla. Gara është pasqyra”, vlerëson Kuka.

459 garues nga 69 shtete janë paraqitur për pjesëmarrje, bazuar në të dhënat e tanishme të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Ekipi Olimpik i xhudos që prej fillimit të pandemisë ka marrë pjesë në pesë kampe, shpenzimet e të cilave janë mbuluar nga KOK-u. /Gazeta Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme