Vlera e Milot Rashicës më e madhe se kombëtarës bullgare

14:07 | 10 Qershor 2019
Arbresh.info

Milot Rashica është njëri prej futbollistëve më në formë të Përfaqësueses së Kosovës.

Futbollisti që karrierën e tij si futbollist profesionist e nisi në Vushtrri, sot është pjesë e klubit të madh gjerman, Werder Bremen.

Edicionin 2018/2019, futbollisti nga Vushtrria e mbylli me 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, ku arriti të shënojë 12 gola si dhe të ndihmojë bashkëlojtarët e tij me gjashtë asistime.

Natyrisht, paraqitjet e mira të Rashicës në fushën e gjelbërt kanë rënë në sy të medieve botërore.

Rashica shënoi golin e vetëm për “Dardanët” në barazimin 1:1 kundër Malit të Zi, ndeshje e zhvilluar më 7 qershor në Podgoricë.

Sipas portalit prestigjioz “Transfermarkt”, vlera e Rashicës në tregun e transferimeve është ngritur në 20 milionë euro nga shtatë milionë sa ishte deri më tani, e që do të thotë se vlen më shumë se kombëtarja bullgare.

Sipas “Transfermarkt” vlera e kombëtares bullgare është 19,95 milionë Euro, raporton Insporti

Futbollisti më i shtrenjtë i Bullgarisë është mesfushori Ivelin Popov, me vlerën e 3 milionë Euro, gjithnjë sipas “Transfermarkt”.

Kosova sonte do të përballet me Bullgarinë në kuadër të eliminatoreve “Euro2020” ndeshje e vlefshme e grupit A.Ndeshja nis nga ora 20:45 dhe zhvillohet në stadiumin “Vasil Levksi Stadium”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme