Google ADS

Vendimi mbi akuzat për përdhunim të Mason Greenwood është ‘i pashmangshëm’

21:16 | 9 Prill 2022
Lorik Gerbeshi

Mason Greenwood aktualisht është liruar me kusht pasi u arrestua në janar me dyshimin për përdhunim dhe sulm ndaj ish të dashurës së tij. Lojtari i Manchester Unitedit ende nuk është akuzuar zyrtarisht dhe ai do të mësojë në ditët në vijim nëse do të ndiqet penalisht.

Besohet se policia do të bëjë një kallëzim në Prokurorinë e Kurorës gjatë ditëve në vijim, pasi ka studiuar provat e disponueshme për të vendosur nëse 20-vjeçari duhet të dalë në gjyq.

“Policia do të dorëzojë dosjen e saj menjëherë”, ka thënë një burim pranë hetimit për The Sun.

Një tjetër burim ka dhënë pak më shumë detaje, duke sqaruar se policisë po i mungon koha për të hetuar.

“Ai është ende me kusht, por gjërat janë në një fazë të avancuar”, ka thënë ai burim, duke folur gjithashtu për The Sun.

“Policia dhe Prokuroria e Kurorës janë duke diskutuar nëse ka një çështje apo jo për të ngritur kundër tij. Vjen një pikë ku duhet të merret një vendim dhe gjërat kanë arritur në atë pikë”.

Ku është Mason Greenwood tani?

Greenwood kaloi kohë në paraburgim policor pas arrestimit të tij më 30 janar.

“Policia e Mançesterit u informua për imazhet dhe videot e mediave sociale në internet të postuara nga një grua që raportonte incidente të dhunës fizike”, thuhej në një deklaratë të policisë në atë kohë.

“U nis një hetim dhe, pas hetimeve, ne mund të konfirmojmë se një burrë rreth të 20-ave është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm. Ai mbetet në paraburgim për t’u marrë në pyetje. Hetimet janë në vazhdim”.

Më pas ai u lirua me kusht pak më vonë, por u pezullua nga Manchester Unitedi dhe nuk ka qenë i përfshirë me klubin që nga arrestimi.

Shumica e sponsorëve të tij gjithashtu kanë ndaluar së punuari me Greenwood, duke përfshirë kompaninë e veshmbathjeve Nike.

Hapi tjetër për 20-vjeçarin është të zbulojë nëse ai do të akuzohet zyrtarisht dhe, nëse po, ai më pas do të përgatitet për një gjyq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme