Kombëtaret e Kosovës dhe Shqipërisë në konkurrencën e veteranëve e kanë festuar 28 Nëntorin me një ndeshje vëllazërore në qytetin e Durrësit.
Kësisoj, Dita e Flamurit, 109 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e Komandatit Legjendar, Adem Jashari dhe dalja e parë publike e UÇK-së kësaj radhe u nderuan me ndeshjen e veteranëve, në njërën anë Kuqezinjtë, të cilët në epoka të ndryshme dhanë kontributin e tyre për Kombëtaren e Shqipërisë dhe në anën tjetër Dardanët, shumica prej të cilëve veçohen si pjesë e gjeneratës së rezistencës ndaj okupatorit serb.
Të pranishëm në këtë ngjarje madhështore ishin edhe dy presidentët e federatave, Agim Ademi dhe Armand Duka, si dhe një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të futbollit dhe emrave të shquar të sportit mbarëkombëtar.
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, derisa në gjuajtjet e penalltive më të saktë u treguan veteranët e futbollit Kosovar, të cilët triumfuan 11:10.
Ndeshja dhuroi emocione dhe spektakël në fushën e lojës, derisa momentet festive ishin gjithmonë të pranishme. Shqipëria kaloi në epërsi me golin e Memellit, në minutën e 9-të, derisa shifrat i barazoi Izmaku, në minutën e 50-të.
Në fund, presidenti Duka dhe presidenti Ademi ia dorëzuan trofeun ekipit kombëtar të veteranëve të Kosovës, që kësaj radhe mori emrin simbolik “Kupa 28 Nëntori”.
Pas përfundimit të këtij aktiviteti u deklaruan presidentët e të dyja federatave. Presidenti Ademi falënderoi FSHF-në për këtë bashkëpunim dhe gjithashtu uroi të gjithë komunitetin sportiv për 28 Nëntorin.
“Jo rastësisht sot Shqipëria dhe Kosova luajnë me këto ngjyra, Shqipëria me të kuqe dhe Kosova me të zeza, që të dyja bashkë të bëjnë ngjyrat e flamurit kombëtar.Si gjithmonë ne do ta urojmë këtë festë, sidomos ne nga Kosova e kemi shumë përzemër. Flamuri për ne është shumë domethënës për faktin që na ka mbajtur të gjallë dhe na ka mbajtur të mos asimilohemi në vitet më të hershme kur kemi qenë në represionin e shumë popujve dhe shteteve të tjera. Me ftesën e FSHF-së dhe Presidentit Duka kemi ardhur këtu që ta festojmë këtë festë. Unë uroj që kjo festë të vazhdojë dhe të vazhdojë si e tha Presidenti Duka me të gjithë shqiptarët dhe me ekipet më të mira në formatin më të mirë të mundshëm. I uroj të gjithë futbollistëve në këtë rast dhe të gjithë shqiptarëve festën e Flamurit dhe shpresoj shumë që në një ditë jo të largët, ky flamur dhe kjo festë do të jetë në të gjithë vendin dhe trojet shqiptare“, tha Ademi.
Ndërkaq, presidenti Duka uroi të gjithë shqiptarët me rastin e festës së 28 Nëntorit, teksa vlerësoi këtë traditë të shkëlqyer midis dy federatave. “Do të doja t’i uroja të gjithëve ditën më të rëndësishme të gjithë gjithë historisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin. Këto ndeshje janë kthyer në traditë mes dy komuniteteve sportive. Do të doja shumë që ky 28 Nëntor të na gjente me një aktivitet akoma më të madh në një Kupë të premtuar mes të gjitha trojeve shqiptare, por dihet që për arsye të pandemisë, projekti i madh i nisur për një kupë mbarëshqiptare nuk arriti të finalizohej dhe uroj të vijë kjo ditë sa më shpejt dhe të kemi një organizim me më shumë numër futbollistësh dhe më shumë pjesëmarrje nga të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet. Edhe njëherë, uroj kryesisht komunitetin sportiv futbollistik dhe të gjithë shqiptarët, Gëzuar festën e 28 Nëntorit”, tha Duka.
Pas ndeshjes festa e të dyja ekipeve ka vazhduar me një drekë madhështore që presidenti i FSHF-së, Armando Duka e shtroi në kantinën e tij “Kantina Duka”.
Kombëtarja e Shqipërisë u paraqit me këtë përbërje: Ilir Bozhiqi, Hysen Zmijani, Alpin Gallo, Armend Dallku, Ardian Mema, Ilir Lame, Ilir Alliu, Agustin Kola, Fatbardh Jera, Migen Memelli dhe Roland Iliadhi, derisa gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Luan Pinari, Fjodor Xhafa, Blendi Nallbani, Suad Lici, Bajram Fraholli, , Gilman Lika, Endri Vrapi dhe Elvis Sina.
Ndërsa Kombëtarja e Kosovës u paraqit me këtë përbërje: Naser Prapashtica, Isa Sadriu, Arsim Abazi, Hysni Gjinovci, Sylejman Selimi, Sheremet Isufi, Muhamet Dragusha, Lulëzim Berisha, Synaj Keqi, Muharrem Sahiti dhe Bakir Burri, derisa gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Luan Tabaku, Sami Gashi, Xhavit Mehmeti, Naim Kodraliu, Ilir Izmaku, Fatmir Namani, Sherif Topalli, Jeton Osmani, Tomë Lleshi, Enes Mustafa, Adil Vokrri dhe Bekim Nura.
Bebushja Luna Mari Ejlli rrëmben vëmendjen me veshje kombëta...
Hovenier: Falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në...
Sveçla: Sulmet në veri, dëshpërim i bandave të dirigjuara ng...
Kelmendi: Mungesa e buxhetit për sistemin prokurorial pamund...
Klubi i karatesë së Policisë së Kosovës fiton katër medalje ...
Xheneta e Gresa tentojnë ta puthin Drilonin, i kërkojnë të f...