Google ADS

Vata: A e dini pse Kosova po e kalon me shpejtësi Shqipërinë?!

15:00 | 9 Shtator 2019
Arbresh Info

Ish futbollisti i famshëm i Shqipërisë, Rudi Vata, ka thënë se Kosova po ecën përpara me hapa shumë më të shpejtë sesa Kombëtarja e Shqipërisë. Sipas tij, kosovarët flasin pak dhe bëjnë punë të madhe. Kurse, në Shqipëri flasin shumë dhe bëjnë pak. Ai ka theksuar se Kosova ka kulturë dhe talente, të cilat nuk i ka Shqipëria, transmeton Gazeta Express.

“Tashmë kemi një risk të madh, sepse Kosova po ecën me një hap të fuqishëm dhe shumë talente kosovarë do të zgjedhin Kosovën dhe jo Shqipërinë. Ne duhet të bëjmë plane që të mbrojmë të ardhmen e futbollit tonë. E dini pse Kosova po na kalon me kaq shpejtësi? E thjeshtë, sepse ka kulturë dhe edukatë më të mirë profesionale. Kanë talente më të mëdhenj se ne, sidomos në pjesën ofensive dhe mesin e fushës. Janë shumë më të fuqishëm se ne, kanë patriotizëm më shumë se ne, punojnë më shumë dhe flasin mbi të gjitha më pak se ne”, deklaroi Vata për “Panorama Sport”.

“Për mendimin tim janë një popull që nuk kanë nevojë të thonë e duam shumë Kosovën, por e bëjnë atë në fushë me vepra. Ndërsa te ne flitet shumë që e duam Shqipërinë, jemi krenarë për etj., por jam i sigurt se shumë edhe e kanë tradhtuar Shqipërinë. Edhe ata që janë krenarë se janë shqiptarë. Për këtë jam i sigurt. Kjo është arsyeja kryesore pse Kosova po na kalon shumë shpejt. Pastaj, në Kosovë nuk ekziston nepotizmi apo miqësia që të marrin njërin apo tjetrin. Janë më realë në përzgjedhjen e talenteve dhe për më tepër i hapin derën. I mirëpresin dhe i bëjnë të ndihen mirë si në shtëpinë e tyre. Këtu te ne futbolli është shumë i korruptuar, siç është në fakt gjithë Shqipëria. Kështu është ndërtuar komplet mentaliteti dhe kultura jonë në këto 30 vite, prandaj dhe dominon korrupsioni. Kjo është fatkeqësia më e madhe, sepse korrupsioni ka zënë rrënjë edhe në futboll”, shprehet ish-kapiteni.

“Produkti është zero dhe cilësia e lojës shihet. Nuk kemi lojtarë që na çojnë te goli lirshëm apo futbollistë që mund të mbrohemi me fanatizëm si në kohën e De Biazit. Është një skuadër që nuk garanton asgjë si në aspektin sulmues, ashtu edhe në atë mbrojtës. Reja nuk ka energjitë e mjaftueshme për të marrë përsipër zgjidhjen e halleve tona”, ka përfunduar Rudi Vata.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme