Google ADS

Van Dijk: Oblaku e mbajti gjallë Atleticon

15:35 | 12 Mars 2020
Arbresh Info

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e lavdëroi portierin e Atletico Madridit, Jan Oblakun, për paraqitjen e tij në ndeshjen e së mërkurës, duke thënë se slloveni e mbajti gjallë Atleticon kundër një Liverpooli që e dominoi ndeshjen për 95 minuta.

Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolin me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara, transmeton Gazeta Express.

Goli i shënuar nga Georginio Wijnaldum në pjesën e parë të ndeshjes bëri që fituesi të vendoset në kohën shtesë. Roberto Firmino e dyfishoi epërsinë e anglezëve vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, që bëri që tifozët vendas ta festojnë atë gol si fitore.

Megjithatë, festa s’u zgjati shumë pasi që Atletico Madridi e përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuara nga Marcos Llorente dhe një gol të shënuar afër fundit nga Alvaro Morata, për ta fituar përballjen me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Gjiganti i Premierligës e dominoi posedimin e topit dhe kishte dyfish më shumë goditje drejt portës sesa kundërshtari spanjoll, megjithatë s’arriti ta shfrytëzojë këtë dominim dhe iu shuan shpresat për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Portieri i Liverpoolit, Adrian, e kishte bërë gabimin e madh që çoi deri te goli i parë i Llorentes. E në anën tjetër, Jan Oblaku i Atletico Madridit ishte mbresëlënës dhe i rezistoi shumicës së sulmeve nga gjiganti anglez.

“Mendoj se gjithçka shkoi siç duhet të paktën për 95 minuta. Mendoj se ne ishim të jashtëzakonshëm. Ne e dominuan ndeshjen dhe e patëm intensitetin që na duhej”, ka thënë Van Dijk.

“Por, ata e kanë një portier të mrekullueshëm dhe ai i mbajti ata gjallë. Ai i bëri disa pritje të mrekullueshme. Ai i bëri shumë pritje, ndoshta tri apo katër pritje të mëdha që unë i kam në mendje tash. Ne tentuam gjithçka, kjo ishte kryesorja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme