Uzuni realizon het-trick në ‘Fadil Vokrri’, përfundon aventura e Prishtinës në Ligën e Kampionëve

22:00 | 13 Korrik 2021
KRG

Myrto Uzuni ka shkëlqyer në Prishtinë, teksa ka realizuar het-trick për t’i dhënë skuadrës së tij Ferencvaros fitoren 3-1 në stadiumin Fadil Vokrri kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Prishtinës.

Ndeshja nisi më mirë me vendasit që rrezikuan dy herë me Otto John.

Nigeriani fillimisht rrezikoi në minutën e tretë, por pa sukses, derisa në minutën e pestë shënoi, por që u anulua goli për pozitë jashtë loje.

Otto John pati rast tjetër të mirë në minutën e 16-të, por goditja e tij nuk ishte e saktë.

Rastin e vetëm të mirë mysafirët e patën dy minuta para fundit të pjesës së parë. Myrto Uzuni provoi të realizojë nga një goditje e lirë, por topi përplaset në murin e Prishtinës dhe del në goditje nga këndi.

Kësisoj 45 minutat e para të ndeshjes përfunduan ashtu siç filluan, me rezultat të pastër 0-0.

Me të filluar pjesa e dytë mysafirët gjetën golin, kur Myrto Uzuni realizoi në minutën e 49-të, për 0-1.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë nuk festoi fare, për shkak të respektit për klubin kosovar.

Gjashtë minuta më vonë erdhi përgjigja e kryeqytetasve, kur Leotrim Kryeziu tentoi golin, por që goditja e tij u ndal nga shtylla.

Kryeqytetasit arritën të gjenin golin e barazimit në minutën e 66-të, kur Xhevdet Shabani harkoi nga këndi, derisa Mendurim Hoti shënoi me kokë për 1-1.

Ishte minuta e 80-të e ndeshjes, kur Myrto Uzuni pasi u asistua nga Civic realizoi për 1-2.

E pas gjashtë minutave, sulmuesi shqiptar kompletoi het-trickun e tij pasi realizoi për rezultatin përfundimtar 1-3.

Kësisoj pas 180 minutave në dy ndeshje, Ferencvaros kalon tutje me rezultat të përgjithshëm 6-1.

Prishtina do të vazhdoj ndeshjet evropiane, ku pas eliminimit nga Liga e Kampionëve do të luaj në UEFA Conference League. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme