“Unë personalisht gjithë e jap maksimumin në fushë. Qysh e zgjedh trajneri skuadrën për kualifikime nuk e di, trajneri e vendos. Unë në fushë mund të tregoj çka mundem të bëj, maksimumin e jap e pastaj e shohim”, kjo ishte deklarata e Uran Bislimit pas ndeshjes ndaj Ishujve Faroe, ku edhe kishte shënuar gol.
Shënoi super gol për Kosovën në ndeshjen miqësore ndaj Ishujve Faroe vetëm pak muaj më parë, në nëntorin e vitit të kaluar. Madje, ia tregonte flamurin e Kosovës botës menjëherë pasi shënoi gol. Me atë gol, Uran Bislimi nisi t’i fitonte zemrat e tifozëve dardanë. Por, çdo gjë mori kthesë tjetër vetëm pak muaj më vonë.
E trajneri bëri zgjedhjen e tij, vendosi që Bislimi të ftohej edhe në ndeshjet para kualifikuese për Euro 2024 të muajit mars, por ishte futbollisti që tani kishte ndryshuar qëndrim, priste një ftesë tjetër, atë të kombëtares së Zvicrës.
Në grumbullimin e muajit mars të ndeshjeve të para kualifikuese të Kosovës, Bislimi kishte refuzuar ftesën e Kosovës. Ishte menaxheri i kombëtares, Bajram Shala i cili zbuloi në konferencë për media se lojtari që pak muaj më parë e puthte emblemën e Kosovës, po e pret thirrjen nga një shtet tjetër, Zvicra.
“Uran Bislimi e kishte konfirmuar ardhjen për ndeshjet e marsit, por më pas e refuzoi Kosovën për herë të dytë brenda pak muajsh. Në shtator na kishte refuzuar me arsyetimin duke ia gjuajtur topin klubit të tij, Luzern. Në nëntor erdhi, ndërsa tash na refuzoi përmes klubit të tij, nuk kishte as guxim e as respekt për të na kumtuar lajmin e refuzimit. Ne ia kishim siguruar edhe biletën e udhëtimit. Por, klubi i tij na tha se lojtari nuk dëshiron ta djeg mundësinë për ta përfaqësuar vendin tjetër tek i cili ka nënshtetësi, Zvicrën. Por, nëse ai e ka këtë dilemë, mund të luajë për Zvicrën pasi Kosova më nuk është opsion për Bislimin”, ishte shprehur Shala para ndeshjeve të marsit.
Kurse sot, ëndrra e Bislimit u bë realitet.
Ai mori ftesë për t’u grumbulluar me kombëtaren helvetike për ndeshjet kualifikuese për Euro 2024. Bislimi ishte në listën rezervë, kurse sot i është bashkuar zyrtarisht Zvicrës.
Gjatë qershorit, Zvicra do të ndeshet me Andorrën më 16 qershor, kurse tri ditë më vonë e pret Rumaninë.
E në shtator, helvetikët do të vijnë në Kosovë për t’u përballur me “Dardanët”.
Mbetet të shihet nëse i ftuar te Zvicra do të jetë edhe Uran Bislimi për të luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku vetëm pak muaj më parë ishte shtëpia e tij.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...