Ulpiana merr tri pikë të mëdha ndaj Drenicës, shton gjasat për mbijetesë

15:00 | 27 Shkurt 2022
Lorik Gerbeshi

Ulpiana është rikthyer te fitoret teksa ka mposhtur Drenicën para adhuruesve të vet me rezultat 3-1.

Lipjanasit kanë marrë tri pikë të arta në luftën për mbijetesë, pasi në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ ishin më të mirë se kuqezinjtë nga Sknederaj.

Në minutën e 28-të, mesfushori brazilian Iran ka realizuar një gol spektakolar nga gjuajtja e lirë për 1-0.

Me golin e brazilianit u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Vendasit e nisën mirë edhe pjesën e dytë, kur në minutën e 55-të, ishte mbrojtësi Silvester Shkalla që realizoi për ta dyfishuar epërsinë e Ulpianës në 2-0.

Përkundër se Drenica insistonte të gjente golin, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi vendasit vazhduan me dominim.

E tre minuta para fundit të ndeshjes, Ulpiana realizoi edhe golin e tretë me talentin Trimror Selimi.

Krejt çfarë bënë mysafirët ishte goli i nderit i shënuar nga Kreshnik Uka në minutën e 92-të për 3-1.

Me këtë fitore Ulpiana vazhdon të mbetet në vendin e tetë në tabelë, por që tani ka 22 pikë, derisa Drenica zë vendin e pestë me 28 sosh.

Në xhiron e ardhshme lipjanasit luajnë në udhëtim te Gjilani, derisa Drenica pret Dritën./Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme