Samir Ujkani thotë se përballja me Spanjën të mërkurën mbrëma është një ndeshje historike për Kosovën. Portieri kosovar i favorizon spanjollët, të cilët i sheh si fuqi botërore të futbollit. Ndërkohë, ai shprehet se “Dardanëve” iu nevojitet mrekullia për të dalë të pamposhtur ndaj “Stuhisë së Kuqe”
Samir Ujkani po e pret me padurim përballjen e së mërkurës mbrëma me Spanjën.
Portieri kosovar këtë ndeshje e konsideron si historike për ekipin kombëtar të Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca”, 32 vjeçari e ka pranuar se “Stuhia e Kuqe” është favorite absolute, pasi është ekip i një tjetër niveli, përcjell Gazeta Express.
Sidoqoftë, portieri i Torinos thotë se Verdhekaltrit do të mundohen ta shijojnë në maksimum këtë lojë dhe të lënë mbresa të mira në Sevilla.
Ai insiston se Kosovës i nevojitet mrekullia për të dalë e pamposhtur nga Spanja.
“Le të shohim. Ne do të mundohemi të bëjmë diçka kundër Spanjës. Kemi nevojë për mrekulli, pasi Spanja është favorite pa dyshim”, ka thënë fillimisht Ujkani.
“Për ne është një ndeshje historike kundër një fuqie botërore të futbollit. Është një nder për ne. Ne besojmë se mund ta lëmë një përshtypje të mirë këtu”, ka vazhduar ai.
“Spanja identifikohet për futboll të bukur, një gjeneratë e re po vjen. Ne mezi presim të përballemi me spanjollët”, nënvizoi veterani i portës.
Kjo do të jetë hera e dytë që Kosova do të luajë kundër një ish-kampioni botëror, pasi “Dardanët” ishin ballafaquar me Anglinë në Wembley në vitin 2019, kur kishin humbur 3:5.
Ujkani tutje i ka veçuar përparësitë që i ka Spanja karshi Kosovës.
“Por, ishte e bukur, por ne humbëm. Çdo ndeshje është histori në vete. Të shohim se si do të shkojë në Sevilla, me të gjitha këto vështirësi pandemike për të gjithë, posaçërisht për ne si një vend i vogël. Ne nuk kemi qindra lojtarë për të zgjedhur. Nëse na mungojnë tre apo katër lojtarë, ne na kushton kjo. Nuk jemi sikur Spanja, ku Luis Enrique thotë se e menaxhon një listë prej më shumë se 70 futbollistësh”, tha tutje ai.
Ish-portieri i Palermos nuk ka dashur të flasë për politikë dhe për raportet politike Spanjë – Kosovë, pasi thotë se sporti është arma më e mirë për t’i bashkuar njerëzit.
“Sporti është i më fuqishëm sesa politika. Deri tash, gjithçka ka shkuar mirë. Kundër Ukrainës, ne kemi luajtur në Poloni. Sporti i hap dyert, i bashkon vendet dhe njerëzit. Me të gjitha problemet që ekzistojnë, sporti duhet të shërbejë si lehtësim, si qetësi. Duhet ta shijojmë atë”, thotë Ujkani.
“Ne nuk kemi nevojë të flasim për raportet në mes të Spanjës me Kosovën. Përkundrazi, duhet të flasim për futbollin, për jetën”, përfundoi portieri kosovar.
Në mungesë të portierit Aro Muriç, Ujkani ishte titullar në humbjen e Kosovës nga Suedia, 0:3, në hapje të kampanjës kualifikuese të Botërorit të Katarit.
Ujkani pritet ta nisë lojën nga fillimi edhe ndaj Spanjës në Sevilla të mërkurën mbrëma. /Gazeta Express/
Greqia thotë se mbështetja e saj për anëtarësimin e Shqipëri...
Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin amerikan, i s...
Gjesti: S’dua të puth sherk!, Xuxi ironizon: Ma mirë me lexu...
Austria do të vazhdojë me mbështetjen e Kosovës në fushën e ...
Forcat ruse largohen nga vendlindja e Assadit
Në Zubin Potok po patrullojnë ushtarët letonezë të KFOR-it