Sot (e enjte) në ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Aktobe, lojtarët e Sarajevës duhej të luanin me “Lulen e Srebrenicës” në gjoks, por organi drejtues i futbollit evropian (UEFA) urdhëroi që ajo të mbulohej.
FK Sarajevo dëshironte të shfaqte simbolin “Lulja e Srebrenicës” në fanellat e tyre në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Fanella u pranua edhe nga Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, dhe kopjet u printuan tre ditë më parë dhe para nisjes për në Kazakistan.
Megjithatë, UEFA urdhëroi që ky simbol i vuajtjeve të popullit të Srebrenicës gjatë agresionit serb kundër Bosnjë-Hercegovinës duhet të mbulohet dhe që lojtarët mund të përdorin shirita të zinj.
Never forget Srebrenica 💔 pic.twitter.com/kgNhEFWEYe
— FK Sarajevo (@FK_Sarajevo) July 11, 2024
Për sqarim, Sarajeva aplikoi me kohë për të veshur këtë simbol të rëndësishëm në fanellë dhe konfirmimi i aplikimit nga UEFA shihet si miratim. Megjithatë, tre ditë para ndeshjes, shtëpia ombrellë e futbollit evropian ndryshoi vendimin dhe urdhëroi që të mbulohej ‘Lulja e Srebrenicës’.
“Duke pranuar faktin se ndeshja e Ligës së Konferencës kundër Aktobe është planifikuar për më 11 korrik, FK Sarajevo planifikoi të shfaqte simbolin “Lulja e Srebrenicës” në fanella në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”.
“Në përputhje me rregullat e UEFA-s, pamja e fanellës u pranua nga Federata e Futbollit të BiH, e cila zyrtarisht e raportoi këtë fanellë në UEFA. Gjithashtu, më 25 qershor, FK Sarajevo i dërgoi një kërkesë të veçantë UEFA-s për të na lejuar ta përdorim këtë fanellë. Tre ditë para ndeshjes, UEFA mori një përgjigje zyrtare për kërkesën tonë, ku thuhet se nuk kemi leje për të shtuar këtë simbol në fanellë dhe se lojtarët mund të përdorin shirita të zinj”.
“Duke qenë se fanellat ishin përgatitur në atë moment, klubi ka njoftuar për këtë UEFA-n, nga e cila është urdhëruar që të “mbulohet” simboli i printuar”.
“FK Sarajevo beson se vendimi për të luajtur ndeshjen me këtë emblemë në fanellë është në përputhje me qëllimet më të gjera të promovimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të viktimave të krimit. ‘Lulja e Srebrenicës’ mishëron parimet e humanizmit, respektit dhe kujtesës kolektive për viktimat e gjenocidit. Lejimi i ekipit tonë për të mbajtur këtë emblemë do të ishte një gjest solidariteti me viktimat e gjenocidit dhe një mesazh që tragjedi të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, por edhe të mos përsëriten”. “FK Sarajevo i qëndron besnik kujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Kurrë mos e harroni Srebrenicën”, thuhet në tekstin e deklaratës nga FK Sarajevo.
Kujtojmë se sot nga ora 17:00, skuadra e Sarajevos luan si mysafir ndaj Aktobe në kuadër të turit të parë paraprak të Ligës së Konferencës. Dueli luhet në qytetin me të njëjtin emër në Kazakistan, ndërsa ndeshja e kthimit është caktuar pas shtatë ditësh në Sarajevë. /Telegrafi/
La Liga refuzoi të regjistrojë Olmon, largimi i yllit spanjo...
Osmani pret Hovenier për takim lamtumirës në Presidencë
Osmani dekreton 24 prokuororë të rinj
Mbyllet edhe një institucion paralel në veri të Kosovës
Qeveria ka mbajtur dje mbledhje elektronike, njofton për ven...
Kosova me sanksione shtesë ndaj Rusisë