Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Grigori Surkis ishte sot në Tiranë për disa takime, ku më i gjati ishte ai me kryeministrin Edi Rama, për të cilin vetë zyrtari i lartë i UEFA-s u shpreh me shaka kur tha se përfundoi me kohë shtesë dhe me penallti.
Ka mbërritur në Tiranë zv/Presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis i cili në axhendën e tij ka patur takime me zyrtarë të lartë të vendit, duke filluar nga ai me kryeministrin e vendit, Edi Rama, që në orën 9 të mëngjesit. Zgjatja e takimit për më shumë se një orë me kryeministrin i ka prishur axhendën zv/Presidentit të UEFA-s, duke i humbur takimin e dytë, atë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Për këtë arsye ai i është drejtuar më pas zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit për të takuar Presidentin e saj, Armand Duka. Takimi me Dukën ishte shumë më i shkurtër sesa ai me kryeministrin e vendit, të cilin vetë zv/Presidenti i UEFA-s e konsideroi si një ndeshje që shkoi me shtesë, madje edhe me penallti, transmeton “Top Channel”.
“Në radhë të parë dua të them se delegacioni ynë erdhi në Shqipëri për të dhënë instruksionet e Presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Më herët, takuam kryeministrin e vendit, një ndeshje prej 90 minutash, por që shkoi me kohë shtesë dhe penallti. Besoj se e dëgjuam njëri-tjetrin dhe sqaruam pozitat tona. Vizita jonë u bë pasi na erdhën informacione që flisnin për një tentativë të mundshme të ndërhyrjes së politikës në zgjedhjet e Federatës. Kemi vetëm një qëllim: të theksojmë edhe një herë principet e UEFA-s për zgjedhje të lira, principe që nuk lejojnë ndërhyrjen e njësive të treta. Kjo ishte për sot. Ndamë opinione. Shpresoj dhe besoj se na keni dëgjuar. Delegacione nga FIFA dhe UEFA do të jenë të pranishme në Shqipëri në Asamblenë e Përgjithshme të 7 shkurtit. Nëse zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të lirë dhe demokratike, ne do të urojmë fituesin”, deklaroi Surkis.
Sa i përket zgjedhjeve për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit që do të zhvillohen më 7 shkurt, procesi do të monitorohet nga 4 delegatë të UEFA-s dhe FIFA-s.
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...