UEFA ka vendosur që në ndeshjet finale të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të drejtën për të folur dhe diskutuar një vendim me arbitrin e ndeshjes do ta kenë vetëm kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse në “EURO 2024”.
Drejtori i arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti, me anë të një letre të hapur ka shpjeguar këtë vendim përpara finaleve të “Euro 2024”, e cila është publikuar në UEFA.com.
“Të jesh arbitër në futbollin modern është shumë e vështirë. Arbitri merr nga 200 deri në 250 vendime për ndeshje, që është një në çdo 22 sekonda, në situata të vështira dhe ndonjëherë të diskutueshme, në presion të madh, ku secili prej tyre shqyrtohet dhe rishikohet nga shumë këndvështrime të ndryshme nga tifozët dhe ekspertët.
Ne duam që gjyqtarët me personalitet të fortë të marrin vendime, që ndonjëherë mund të jenë jopopullore në fushë, por, në të njëjtën kohë, duam që ata të jenë më të hapur dhe të shpjegojnë se çfarë çoi në vendime të caktuara.
Arbitrat marrin shumë informacion nga sistemi VAR dhe ne jemi të gatshëm të flasim dhe të ndajmë më shumë detaje me lojtarët dhe trajnerët për t’i ndihmuar ata të kuptojnë se si është marrë një vendim.
Të shpjegosh një vendim për 22 lojtarë është e pamundur për një gjyqtar. Kjo mund të çojë në prishje të komunikimit, me lojën e bukur që kthehet shumë shpejt në shumë të shëmtuar.
Tema e sjelljes së lojtarëve dhe trajnerëve është një temë shumë e rëndësishme në futboll. Në workshopin me finalistët e UEFA Euro 2024 në muajin prill, trajnerët ranë dakord që të punojnë më shumë drejt “Fair Play”, ndërkohë që kjo çështje ishte edhe një nga temat kryesore në mbledhjen e fundit të Bordit të Futbollit të UEFA-s në Nion. Së bashku, trajnerët dhe lojtarët mirëpritën dhe mbështetën fort qasjen tonë të re si një objektiv të përbashkët për mbarëvajtjen e lojës.
Shpjegimi i një vendimi për të 22 lojtarët në një ndeshje është e pamundur për një arbitër dhe kjo mund të çojë në prishje të komunikimit dhe ne biem të gjithë dakord që kjo ndikon në imazhin e lojës së bukur të futbollit.
Sigurisht, disa vendime do të diskutohen gjithmonë. Megjithatë, për të përmirësuar këtë aspekt, ne në UEFA duam që arbitrat t’i shpjegojnë më shumë vendimet e tyre të gjitha skuadrave që marrin pjesë në UEFA EURO 2024.
Si do ta bëjmë këtë? Ideja është e thjeshtë: Ne kërkojmë që të gjitha skuadrat të sigurojnë që kapiteni i tyre të jetë lojtari i vetëm që flet me arbitrin. Kërkojmë nga kapitenët të sigurojnë që shokët e tyre të skuadrës të mos cënojnë dhe të rrethojnë gjyqtarin, duke lejuar që të zhvillohen biseda të drejtpërdrejta në mënyrë që vendimi të transmetohet në kohën e duhur dhe me respekt.
E rëndësishmja, ne duam që vetëm kapiteni nga ekipi që dëshiron të diskutojë një vendim, të jetë në gjendje t’i afrohet arbitrit.
Është përgjegjësi e kapitenit të sigurojë që shokët e tij të skuadrës të respektojnë arbitrin, të mbajnë distancën e tyre dhe të mos e rrethojnë atë. Çdo shok skuadre që injoron rolin e kapitenit të tij dhe i afrohet arbitrit duke treguar ndonjë shenjë mosrespektimi ose mospajtimi do të ndëshkohet me karton të verdhë. Nëse kapiteni është një portier, do të duhet të emërohet një lojtar nga skuadra për të komunikuar me arbitrin.
Arbitrat do të inkurajohen të jenë të hapur në diskutimet e tyre me kapitenët për të nxitur një atmosferë të shëndetshme midis të gjitha palëve. Kjo do t’i lejojë ata të krijojnë besimi me lojtarët dhe të tregojnë lidershipin që kërkohet. Ekipi i specialistëve të arbitrave të UEFA-s dhe nëse është e mundur, një arbitër i turneut do të takohen me të 24 skuadrat pjesëmarrëse për të diskutuar këtë çëshjte në detaje dhe për të ndarë këtë informacion me lojtarët.
Përqafimi i kësaj qasjeje dhe fuqizimi i arbitrave do të çojë në rritje të cilësisë së të gjykuarit në kompeticionet tona dhe në ndeshje më të mira për lojtarët dhe tifozët për t’i shijuar gjatë turneut. Nëse ne mund të lehtësojmë dialogun konstruktiv midis arbitrave dhe kapitenëve të ekipit, të gjithë do të përfitojnë dhe do të lëmë një trashëgimi pozitive për të ardhmen e lojës së bukur. Loja që të gjithë e duam”./ss
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...