Google ADS

UEFA konfirmon: Kosova luan në stadiumin Fadil Vokrri

11:21 | 27 Gusht 2018
Arbresh.info

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ia ka dhënë një lajm të madh Kosovës.

Në fakt shtëpia e futbolli evropian e ka konfirmuar ekskluzivisht për gazetën “Zëri” se Përfaqësuesja e Kosovës do ta hapë kampanjën e Ligës së Kombeve në stadiumin e renovuar “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Ditë më parë u vu në pikëpyetje një gjë e tillë pasi Ministria e Sportit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e ndaluan zhvillimin e ndeshjes kampionale ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit me arsyetimin se nuk ishte bërë pranimi teknik i stadiumit, ndërkohë që ditë më parë ishte lejuar zhvillimi i ndeshjes tjetër, Drita – Prishtina, e vlefshme për Superkupën e Kosovës.

Sidoqoftë, MKRS-ja pas pak ditësh kishte dalë me një sqarim, duke nënvizuar se Bardhekaltrit do t’i zhvillojnë ndeshjet e ardhshme të Superligës në “folenë” e tyre, e cila u mungon qe më shumë se dy vjet.

Tash kur kanë mbetur diçka më pak se dy javë para fillimit të Ligës së Kombeve është vënë në dyshim edhe zhvillimi i ndeshjes ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës ndaj Ishujve Faro, e paraparë të zhvillohet më 10 shtator.

Mirëpo institucioni më i lartë i futbollit evropian ka zbuluar për se stadiumi “Fadil Vokrri” do ta marrë licencën për zhvillimin e ndeshjeve të rëndësisë së tillë dhe se që nga shtatori Kosova do të mundë t’i luajë takimet në shtëpi të vet, pasi luajti gjatë tërë kampanjës kualifikuese të Botërorit 2018 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër në mungesë të stadiumit.

Ne mund t’ju konfirmojmë se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është i përshtatshëm dhe atij do t’i lejohet organizimi (pritja) i ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faro, që është paraparë të zhvillohet më 10 shtator”, i ka thënë UEFA gazetës “Zëri”.

Pa dyshim ky lajm do ta çlirojë krejt Kosovën pasi gjatë ndeshjes hapëse të stadiumit në Superkupën e Kosovës ishin vërejtur disa mangësi dhe ishin hedhur fishekzjarrë nga ana e tifozëve gjilanas në sy të inspektorëve të UEFA-s, të cilët ishin prezentë në stadium.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme