Google ADS

UEFA i beson FSHF-së organizimin e ndeshjeve të turit paraeliminator të CHL

15:18 | 13 Qershor 2021
KRG

UEFA i ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e tre ndeshjeve të turit paraeliminator të kompeticionit UEFA Champions League.

 

Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e këtij turi që do të luhen në datat 22-25 qershor 2021 në Durrës dhe në Elbasan. Më 22 qershor, në ora 20:00 do të nisë gjysmëfinalja e parë ESS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS), që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit,shkruan gazeta Olle.

Po më datë 22 qershor dhe po në të njëjtën orë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit luhet ehde gjysmëfinalja tjetër HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND).

 

Fituesit e dy çifteve do të përballen në finalen e këtij turi që do të luhet më datë 25 qershor, ora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet për në fazën tjetër.

 

Kësisoj, UEFA vazhdon t’i besojë FSHF-së organizimin e eventeve të rëndësishme, duke marrë parasysh mirëorganizimin e ndeshjeve me rëndësi të madhe nga institucioni i futbollit shqiptar si dhe investimet e rëndësishme që janë bërë në infrastrukturë dhe në futboll përgjatë këtyre viteve.

Gjithashtu, kjo vjen edhe për shkak të lehtësimit të masave anti-Covid në Shqipëri dhe rënies së rasteve me këtë virus që bllokoi të gjithë botën për thuajse më shumë se një vit.

 

Ky lajm vjen pas një tjetër lajmi historik, siç është ai i organizimit të finales së kompeticionit më të ri në futbollin europian, UEFA Conference League, në stadiumin “Air Albania” në majin e vitit 2022.

 

CHAMPIONS LEAGUE – TURI PARALEMINATOR

Gjysmëfinalet – datë 22 qershor 2021

 

SS Folgore (SMR) – FC Prishtina (KOS)

Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan

 

HB Torshavn (FRO) – Int. Club d’Escaldes (AND)

Ora 20:00, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

 

Finalja – datë 25 qershor 2021

 

Fituesi 1 – Fituesi 2

Ora 20:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme