UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për incidentet e shumta gjatë ndeshjes me Rumaninë me shumën prej 61 mijë euro.
FFK është gjobitur për shkelje të ndryshme e të shumta gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Hyrja e shikuesve të shumtë në fushë, hedhja e gjësendeve, ndezja e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë, bllokimi i rrugëve publike, ishin prej shkeljeve të regjistruara në ndeshjen që Rumania e fitoi 3-0.
Për hyrjen e shikuesve në fushë, përkatësisht për pushtim të fushës, FFK-ja është gjobitur me plot 10 mijë euro. Për hedhje të gjësendeve, FFK-ja do të paguaj 22 mijë euro.
Për fishekzjarrë të ndezur, buxheti i FFK-së do të pakësohet për 6 mijë euro.
Për shkak të fishkëllimave të tifozëve gjatë intonimit të himnit të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës do të paguaj dënim prej plot 15 mijë euro.
Ndërsa për bllokim të rrugëve publike, përkatësisht për qëndrimin e shikuesve në pjesën e tribunave të destinuara për lëvizjen e tyre, FFK-ja do të paguajë 8000 euro.
Pas ndeshjes, nga përfaqësuesja e Kosovës nuk ishin respektuar obligimet për deklarim për media. Përzgjedhësi Franco Foda nuk doli në konferencë për shtyp, ndërsa i vetmi që foli, madje vetëm për dy mediume, ishte kapiteni Amir Rrahmani.
Dhe për mosrespektim të aktiviteteve mediatike, UEFA ia ka tërhequr vërejtjen FFK-së. Paraqitja e përzgjedhësit në konferencë është e obligueshme, sikurse deklarimi i lojtarëve në zonën miks. /Telegrafi/
Hajnat hyjnë në një shtëpi në Sllatinë dhe vjedhin një pisto...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 300 gjoba brenda 24 orëve
Zhduket një person në Prizren
KQZ sot mban mbledhje
Vendet e NATO-s rrisin shpenzimet për mbrojtje
Komuna e Gjilanit njofton se të gjitha rrugët janë të kalues...