Google ADS

UEFA do t’i monitoroj zgjedhjet në FSH

19:06 | 8 Shkurt 2022
KRG

UEFA ka përcaktuar delegacionin që do të vijë në Tiranë për të monitoruar ecurinë e procesit zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit pas problematikave të shfaqura nga ndërhyrjet politike të javëve të fundit, veçanërisht në asambletë e disa shoqatave rajonale.

Ashtu siç edhe Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin e bëri me dije gjatë vizitës së tij në Tiranë pesë ditë më parë, janë përzgjedhur edhe tre emrat e zyrtarëve që do të përbëjnë misionin vëzhgues të qeverisë së futbollit evropian, përcjell arbresh.info.

Përmes një shkrese zyrtare, UEFA ka njoftuar Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për axhendën e vizitës së delegacionit që do të vlerësojë ecurinë e procesit zgjedhor e që do të mbërrijë në vendin tonë më 14 shkurt.

“Bazuar në diskutimet e tij me Kryeministrin Rama dhe Ju, u ra dakord që UEFA të dërgonte një mision vëzhgimi me objektivin e vlerësimit të ecurisë së procesit zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Zakonshme të planifikuar për në datën 2 mars 2022. Dëshirojmë t’ju njoftojmë se delegacioni i UEFA-s do të përbëhet nga përfaqësuesit e mëposhtëm:

– Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA)

– Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative)

– Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve)

Delegacioni do të udhëtojë për në Tiranë të hënën, 14 shkurt dhe do të kthehet të mërkurën, 16 shkurt. Ne do të jemi në kontakt gjatë ditëve të ardhshme për të diskutuar dhe organizuar takimet dhe ju falënderojmë paraprakisht për disponibilitetin e të gjithë stafit të FSHF-së”, – shkruhet në letrën drejtuar Presidenti Duka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme