Ndarja e papritur nga jeta e Davide Astorit shokoi mbarë opinionin futbolldashës italian e jo vetëm.
Mbrojtësi dhe kapiteni i Fiorentinës u shua mëngjesin e sotëm nga shkaqe që sipas hetuesve janë natyrore, duke detyruar drejtuesit më të lartë të futbollit në Itali që të mos lejonin zhvillimin e asnjë ndeshjeje të Serie A (7 ndeshje, mes të cilave edhe Milan-Inter) dhe Serie B (dy ndeshje), për të cilat do të diskutohet ditën e hënë se kur do të luhen.
Por kush ishte mbrojtësi Astori, të cilin të gjithë e kujtojnë si një njeri të madh, duke nisur nga Buffon e deri te Totti?
Davide Astori u lind në San Giovanni Bianco, në provincën e Bergamos, më 7 janar 1987. Mbrojtës qendre, që luante më së shumti me këmbën e majtë, nisi karrierën e tij te Ponte San Pietro, një skuadër satelit e Milanit. Më pas u përfshi në “Primavera”-n e kuqezinjve në sezonin 2005-2006, për t’u huazuar një sezon më pas te Pizzighettone në Serie C1, ku zhvillon 27 ndeshje dhe shënon golin e tij të parë si profesionist.
Pasi rikthehet te Milani, në 2007-2008 huazohet sërish te Cremonese, po në Serie C1, ku do të luante gjithsej 33 takime.
Në verën e vitit 2008, Cagliari do të blinte gjysmën e kartonit të tij dhe me sardët do të debutonte për herë të parë në Serie A më 14 shtator të atij viti, në moshën 21-vjeçare, në ndeshjen me Sienën. Më 30 nëntor të atij viti do të zbriste për herë të parë si titullar në elitën e futbollit italian, ndeshje që Cagliari e fitonte 1-0 me Sampdorian. Gjatë sezonit të tij të parë në Sardenja do të luante 10 ndeshje.
Në verën e vitit 2009, bashkëpronësia me Milanin do të rinovohej dhe Astori do të bëhej titullar i padiskutueshëm i formacionit sard, duke luajtur 34 nga 38 ndeshje, madje shënoi edhe golin e tij të parë në Serie A ndaj Fiorentinës.
Më 25 qershor 2010, bashkëpronësia do të rinovohej sërish mes Cagliarit e Milanit, por një vit më pas, sardët do të blinin edhe gjysmën tjetër të kartonit nga klubi kuqezi, raporton TCH.
Në sezonin 2011-2012 do të luante si titullar në javët e para, përpara se të pësonte një frakturë të rëndë. Një kampionat më vonë nuk do të mundej të përsëriste nivelet e treguara më herët. Dy sezone më tej do ta mbyllte kampionatin me 34 ndeshje të luajtura në kampionat dhe një në Kupën e Italisë, ndërsa më 23 korrik 2014 do të rinovonte me skuadrën nga Sardenja për 3 vite, me një kontratë deri në 2017-n. Por një ditë më pas do të kalonte si huazim te Roma, për shumën e 2 milionë eurove, por akordi i lejonte verdhekuqve ta blinin përfundimisht, gjë që mund të ndodhte nga sezoni 2015-2016.
Më 30 gusht të atij viti do të debutonte me Romën përballë Fiorentinës në fitoren 2-0. Më 19 shtator do të debutonte edhe në Champions League, gjatë sfidës që po luhej ndaj rusëve të CSKA-së së Moskës, që u mbyll me fitoren 5-1 për kryeqytetasit italianë. Më 6 janar do të shënonte golin e tij të parë me Romën, në fitoren ndaj Udinezes në “Friuli”. Ky sezon do të mbyllej me 29 përfaqësime dhe vetëm 1 gol të shënuar.
Roma nuk e bleu, e pas rikthimit te Cagliari do të kalonte zyrtarisht te Fiorentina, më 4 gusht 2015, duke firmosur një kontratë 4-vjeçare. Debutonte me ekipin “viola” më 23 gusht në sfidën Fiorentina-Milan 2-0, për të fituar më pas vendin e titullarit. Në fund të sezonit, Fiorentina do të paguante 5 mln euro te Cagliari për të. Më 26 tetor 2016 do të shënonte golin e parë me “viola”-n, ndaj Crotones në atë barazim 1-1. Për të mbërritur në sezonin aktual, kur pas largimit të Gonzalo Javier Rodriguez do të merrte shiritin e kapitenit.
Astori ka një karrierë të shkurtër edhe me kombëtaren e Italisë. Nisi të luante me U18-n, por më 6 gusht 2010 do të grumbullohej për herë të parë me “axurrët” e mëdhenj nga Cesare Prandelli, i sapoemëruar teknik i italianëve, për miqësoren ndaj Bregut të Fildishtë.
Debutimi i tij me Italinë do të regjistrohej më 29 mars 2011, në moshën 24-vjeçare, në miqësoren që Italia fitonte ndaj Ukrainës në transfertë. Atë ndeshje do të ndëshkohej dy herë me të verdhë.
Më 6 qershor 2012 kishte mundësinë më të mirë për t’u grumbulluar me Italinë përpara Europianit të atij viti. U përfshi në kombëtare për pak ditë, në pritje të testeve mjekësore që po zhvillonte Andrea Barzagli, por kur ky i fundit u konfirmua se mund të luante, Astori u largua nga grumbullimi.
Më 3 qershor 2013, Cesare Prandelli do ta përfshinte në listën e 23 lojtarëve për Kupën e Konfederatave në Brazil. Do të shënonte golin e tij të parë me “axurrët” më 30 qershor të atij viti, gjatë kompeticionit që zhvillohej në Brazil, në finalen e vogël për vendin e 3-të kundër Uruguajit. /Express/
Juventusi ka një plan B në rast se dështon transferimi i Zir...
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...