U akuzuan për kurdisjen e rezultateve, reagon Llapi

08:40 | 24 Shkurt 2023
K.B

Klubi nga Podujeva, Llapi ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare pas artikujve të shumtë mbrëmjen e së enjtes, ku akuzohej për trukimin e ndeshjeve gjatë vitit 2022.

Mediumet franceze, Le Figaro dhe Le Parisien raportuan gjatë të enjtes mbi një skandal të trukimeve në futbollin kosovar apo më saktë në Superligën e Kosovës.

Sipas Le Figaro, të paktën katër ndeshje të Superligës së Kosovës janë manipuluar për baste, gjë që ka çuar nëntë persona nën pranga në Francë pas një hetimi një vjeçar, ku dyshohet se janë fituar mbi 300 mijë euro.

Pas këtij mediumi, ishte gazeta e njohur franceze ‘Le Parisien’, e cila ka dhënë detaje të reja në lidhje me klubin dhe arrestimet e kryera në Francë, ku në qendër të skandalit është klubi i Llapit.

Sipas kësaj gazete, grupi prej afër 10 personash të moshës 22 deri 50 vjeç janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të kurdisura nga klubi i Llapit nga Podujeva.

Le Parisien shtoi se në këtë skandal të përfshirë janë drejtuesit e klubit, anëtarët e stafit teknik dhe disa lojtarë.

Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe gjatë orëve të para të ditës së premte ishte klubi i Llapit që ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare, duke mohuar çdo pretendim të mediave franceze.

“K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siç janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme”.

“Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim”, thuhej ndër tjerash nga faqja zyrtare e Llapit.

Postimi pa ndërhyrje i Llapit

Komunikatë për shtyp

Ndonëse vonë, me shkas po iu drejtohemi me këtë komunikatë për shtyp.

Kryesia e K.F. Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh.

Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës.

K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siq janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme.

Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim.

Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona.

Me respekt

Kryesia e KF Llapi

Presidenti i klubit

Beqir Batatina

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme