U akuzua për kërcënim ndaj gjyqtarëve, Batatina i mohon kategorikisht

23:18 | 24 Dhjetor 2024
D.H

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit të Llapit, Tahir Batatina për kërcënim dhe kufizim të lëvizjes së gjyqtarëve pas përfundimit të ndeshjes Llapi – Dukagjini e luajtur në Podujevë të premten.

‘Akuzat’ për kërcënim i ka mohuar kategorikisht trajneri llapjan, Tahir Batatina, shkruan Arbresh.info.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka dal me një reagim publik, duke theksuar se nuk ka penguar në asnjë moment lëvizjen e lirë të gjyqtarëve ashtu siç pretendohet.

“Në cilësinë time si kryetrajner i KF Llapi, ndihem i detyruar të reagoj fuqimisht ndaj pretendimeve të pavërteta dhe të pabazuara, të cilat synojnë të dëmtojnë emrin tim dhe imazhin e klubit, KF Llapi.

Dua të sqaroj se nuk kam penguar në asnjë moment lëvizjen e lirë të gjyqtarëve apo daljen e tyre nga stadiumi, siç pretendohet nga Komisioni i Garave. Pas përfundimit të ndeshjes, kam kërkuar një sqarim të qetë dhe të arsyeshëm lidhur me një moment të diskutueshëm të ndeshjes, konkretisht mbi arsyen pse gjyqtari kryesor zgjodhi të shikonte sistemin VAR për rastin e golit (offside), pasi që kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë nga një gjyqtar kryesor prej se VAR implementohet në Kosovë. Ky është një veprim i zakonshëm dhe i drejtë për çdo trajner që kërkon transparencë dhe qartësi mbi vendimet e marra gjatë një ndeshjeje.

Për më tepër, nuk kam bërë asnjë kërcënim apo veprim që të kufizojë lirinë e lëvizjes së gjyqtarëve, dhe këto pretendime janë plotësisht të pavërteta. Asnjëherë nuk kam përdorur gjuhë kërcënuese, siç pretendohet në këtë inicim diciplinor, dhe çdo deklaratë që thotë të kundërtën është e gabuar dhe keqinterpreton qëllimet e mia”, thuhet në reagimin e Batatinës.

Përvec, Batatinës në procedurë disiplinore është dërguar edhe Llapi për lëshim të organizimit të ndeshjes si dhe për dëmtim të pajisjeve të sistemit VAR në procedurë disiplinore kanë përfunduar edhe dy zyrtarët e klubit Llapit, Muhamet Rexhepi dhe Besart Hoti./Arbresh.info

 

Të ngjashme