Tuchel: S’e keni idenë se sa shumë presion i bëhet Neymarit

11:13 | 12 Gusht 2020
A. B.

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, është shprehur i bindur se Neymar do të luajë rol vendimtar për Paris Saint-Germainit kundër Atalantas në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Atalanta dhe Paris Saint-Germaini e kishin siguruar vendin në çerekfinale qysh para ndërprerjes së sezonit shkaku i përhapjes së koronavirusit, kështu që garën në Ligën e Kampionëve do ta rinisin me ndeshjen e sotshme, të parën në kuadër të çerekfinaleve.

Ashtu siç do të zhvillohen të gjitha ndeshjet nga faza çerekfinale, edhe Atalanta me Paris Saint-Germainin do ta zhvillojnë çerekfinalen e sotshme në Lisbonë në orën 21:00, ku për dallim nga sezonet e tjera nuk do të ketë ndeshje kthyese.

Paris Saint-Germaini i ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve dhe do të tentojë që këtë herë ta dëshmojë se investimet e bëra në skuadër ia kanë vlejtur, duke shkuar tutje në garën më prestigjioze të Evropës.

Për ta arritur synimin në këtë garë, Tuchel e ka bërë të qartë se llogarit në yllin e skuadrës, Neymarin.

“E kam përshtypjen që gjithmonë vihet shumë presion mbi Neymarin. Ju nuk mund ta imagjinoni se sa shumë presion ka ai. Por, ai është një djalosh që i pëlqen kjo, që është mësuar të luajë me presion të tillë”, ka thënë Tuchel.

“Jemi të lumtur që ai e ka mundësinë ta mbyllë ndeshjen me Kylianin, atyre u pëlqen shumë të luajnë me njëri-tjetrin”.

“Neymarit i pëlqejnë ndeshjet e mëdha dhe ndeshjet vendimtare. Ai është një lojtar të cilit mund t’i besosh për ndeshjet e mëdha. Jam i bindur se ai do të luajë mirë dhe do të jetë vendimtar për ne, ai e ka mentalitetin e duhur për këto situata”. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme