Trepça fiton derbin interesant me Kastriotin, për Zhegrën pikët e para

09:43 | 28 Nëntor 2021
Lorik Gerbeshi

Ndeshja mes Trepçës e Kastriotit ka arsyetuar epitetin e derbit të javës së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Në një atmosferë të bukur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, fitore ka shënuar skuadra vendase me rezultat 26:23. Por “xehetarët” është dashur të djersiten goxha shumë për të fituar përballjen me skuadrën tjetër me traditë, Kastriotin. Në palestër ishin rreth 300 shikues që i kanë ofruar përkrahje të madhe Trepçës.

Kastrioti ishte në epërsi pas pjesës së parë, 12:11. Fillimi i pjesës së dytë ishte i barabartë, ndërsa shkëputjen Trepça e ka nisur prej minutës së 43-të. Në minutën e 47-të rezultati ishte 20:15 për vendasit. Epërsinë e krijuar në mesin e pjesës së dytë, mitrovicasit ia dolën ta menaxhojnë deri në fund. Por në përgjithësi ndeshja ishte e fortë me lojtarët e dy skuadrave që kanë luftuar për fitore. Ferizajasit kanë shfaqur lojë të mirë, por fondi i limituar i lojtarëve në fund e bëri të veten.

Fitim Klinaku me 8 gola dhe Alban Shabani me 7, ishin më efikasët te Trepça. Nga 3 gola i shënuan Sali Maxhera, Kushtrim Kastrati e Shpëtim Mehmeti. Te Kastrioti më efikasi ishte Festim Mustafa me 8 gola. Nga 6 i realizuan Aldi Rudari e Hamdi Salihi, ndërsa 2 gola i kishte Jeton Bislimi.

Trepça mbetet e dyta me 18 pikë nga 11 ndeshje. Kastrioti është i katërti me 12 pikë.

Fitoren e parë në këtë edicion të Superligës e ka shënuar Zhegra. Zhegrasit në Gjilan e mposhtën Drenicën me rezultat 39:28. 17:9 ishte rezultati pas pjesës së parë për Zhegrën. Landrit Mustafi shënoi 10 gola për Zhegrën. 9 i kishte Agim Isufi, ndërsa 8 i realizoi Shkodran Shaqiri. Bled Sahiti u shqua me efikasitet te Drenica, duke realizuar 9 gola. 7 i shënoi Omer Gucati, ndërsa 4 Bleart Zariqi.

Zhegra tani ka dalë e parafundit (9), ndërsa në vendin e fundit ka zhvendosur Drenicën. Të dy skuadrat i kanë nga 2 pikë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme