Kristal Abazaj firmosi dje me klubin më të madh belg, Anderleht. Talenti i Luftëtarit, që është në pronësi të Skënderbeut, ka zyrtarizuar kontratën 3- vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy sezone të tjera me skuadrën rekordmene të Belgjikës.
Ka qenë vetë klubi i Anderlehtit, që ka bërë publik lajmin në orët e pasdites së të hënës, ndërsa Skënderbeu dhe Luftëtari kanë mbajtur gjithçka të fshehtë. “Operacioni” është mbyllur me sukses pas negociatave me ditë të tëra në Bruksel, ku enkas janë marrë drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç, si dhe agjentët Shkumbin Qormemeti dhe Elton Marini.
Ka qenë një transferim surprizë, që futet në historinë e futbollit shqiptar si më i shtrenjti i të gjitha kohërave nga një skuadër e Kategorisë Superiore drejt një klubi europian. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë dy klubeve (Skënderbeu dhe Luftëtari), se në total shitja e Abazajt ka shkuar 1.2 milionë euro. Kontrata fillestare është nënshkruar për 750 mijë euro, por mësohet se nëse Anderleht fiton titullin kampion këtë sezon dhe Abazaj luan një numër të caktuar ndeshjesh në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve gjatë edicionit të ardhshëm, gjithçka kompletohet me 1.2 milionë euro. Klubi belg do të bëj pagesën në tre këste, duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, kur talenti tropojan lirohet nga Luftëtari, teksa deri në fund të sezonit është dhënë në formë huazimi. Abazaj do të përfitojë 200 mijë euro neto në vit, me një kontratë që pritet të jetë progresive, në rast se lojtari përmbush pritshmëritë.
PËRFITIMET
Plot 563 mijë euro do të shkojnë për llogari të Skënderbeut, ndërsa 187 mijë euro në arkën e Luftëtarit, që ka në pronësi 25 për qind të kartonit të Abazajt. Sulmuesi që u grumbullua së fundmi me Kombëtaren shqiptare luan vetëm sezonin e tij të dytë në Kategorinë Superiore dhe pas 29 javëve kampionat është aktualisht kryegolashënues i bluzinjve me 9 gola. Prej një viti, ai ka qenë pjesë e padiskutueshme e Kombëtares Shpresa, derisa bindi edhe trajnerin kuqezi, Kristian Panuçit.
KLUBI I RI
Anderlehti është një nga ekipet që ka akademinë më të zhvilluar në Europë, nga ku kanë dalë disa nga lojtarët më të njohur. Shumë prej yjeve që bëjnë pjesë në kombëtaren belge, janë rritur pikërisht nga kjo akademi. Në këtë sezon, Anderlehti po lufton për të fituar titullin kampion në Belgjikë dhe për të siguruar një vend direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Kampionati belg është futur në fazën finale, ku skuadrat janë ndarë në dy grupe, ato që luftojnë për titull dhe ato që luftojnë për rënien. Anderlehti ndodhet në vendin e dytë, pas Klub Bryzhit, që ka 3 pikë më tepër se skuadra e re e Abazajt. Te Anderlehti ka bërë histori ishkapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi, qoftë si futbollist, por edhe si trajneri i belgëve./PS/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...