Google ADS

Trajneri Ibrakoviq e mesfushori Endrit Krasniqi: Do ta japim atomin e fundit për fitore ndaj Dritës, me ndihmën e Plisave ia dalim

17:57 | 4 Dhjetor 2021
Lorik Gerbeshi

Prishtina ndeshjen e radhës në Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon ndaj Dritës të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 13:30.

Prishtina vjen në këtë takim me formë dhe moral të lartë pasi që në tri ndeshjen e fundit ka arritur po aq fitore.

Takimi i parë i zhvilluar në këtë edicion mes këtyre ekipeve ka përfunduar pa gola (0:0), në ndeshjen e zhvilluar në Gjilan.

Skuadra kryeqytetase ndodhet në pozitën e pestë me 24 pikë të tubuara e Drita zë vendin e tretë me 28 sosh.

Kryetrajneri i skuadrës prishtinase, Abdulah Ibrakoviq si dhe mesfushori Endrit Krasniqi kanë folur për ndeshjen në fjalë për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina.

“Pres një ndeshje të fortë ndaj një skuadre stabile dhe solide si Drita. Ata kanë skuadër me shumë përvojë me shumë futbollistë të mirë. Ne duhet do të jemi agresivë dhe të fortë fizikisht në këtë përballje. Skuadra jonë ka dëshirë për fitore dhe jemi të përgatitur taktikisht. Futbollistët janë të gatshëm të japin edhe atomin e fundit nga vetja. Ne jemi stabilizuar dhe ky është faktori më me rëndësi tani”, deklaroi Abdulah Ibrakoviq për faqen zyrtare të Prishtinës.

“Tifozët tanë “Plisat” e dinë se ku është shtëpia e tyre dhe ku zemra e tyre rrah më së shumti”, shtoi trajneri boshnjak.

Ndryshe, Endrit Krasniqi deklaroi: Kjo është ndeshje derbi, në të cilën mund të them se Prishtina do të luajë për fitore dhe shpresoj se në fund do ta arrijmë qëllimin. Kemi përmirësim të formës, por nuk mendoj se është forma më e mirë e lojtarëve të Prishtinës pasi mundemi edhe më mirë. Jemi të koncentruar që mos të bëjmë gabime siç kemi bërë në fillim dhe të jemi në hap me ekipet e tjera për pozitat e para”.

Ai bëri apel që tifozët ti pushtojnë tribuat. “I ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe “Plisat” që të na ndihmojnë jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo takim sepse me mbështetjen e tyre, besoj se do të jetë më e lehtë në arritjen e sukseseve që i pretendojmë”, përfundoi Endrit Krasniqi.

/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme