Kosova të mërkurën u mposht bindshëm nga Norvegjia me rezultat 3-0, në ndeshjen miqësore të luajtur në “Ullevaal Stadium” të Oslos.
Me hattrickun e “makinerisë së golave” Erling Haaland, Kosova pësoi humbjen e dytë në tre ndeshjet e drejtuar nga trajneri i ri, Franco Foda.
Në dy miqësoret e para u pa një fije shprese se “Dardanët” do të riktheheshin më të fort pas atyre problemeve mes lojtarëve dhe ish-trajnerit Primoz Gliha, raporton Arbresh.info.
Me ardhjen e Fodës u rritën apetitet për sukses, gjermani solli risi me emra të rinj në listë.
Gjithashtu në stërvitjet para ndeshjeve pati harmoni në kombëtare, stërvitjet po shkon për mrekulli dhe pa ndonjë presion të lartë duke ditur që miqësorja është vetëm një test përpara ndeshjeve të shtatorit kur fillon Nations League.
Ndeshja e djeshme ndaj Norvegjisë ishte një ‘shuplakë’ për lojtarët, Fodan dhe të tërë staf të kombëtares.
Përveç ndeshjes së dobët nga Kosova, ku krijuan fare pak raste shënimi, disa driblime nga Edon Zhegrova e bënë pak më atraktive lojën e ‘Dardanëve’ para një publik të madh që i përkrahte në kryeqytetin e ‘vikingave’.
NJË TEST TJETËR I DËSHTUAR
Fondi i lojtarëve që pati solli një fije shprese për kosovarët, duke marrë parasysh edhe prurjet nga Superliga e Kosovës në futboll.
Disa yje të Superligës që po kërkohen me ngulm nga shumë skuadra evropiane, nuk po ia mbushin syrin Franco Fodas për të marrë minuta.
Gjashtë lojtarët e Superligës që u ftuan nga trajneri gjerman, vetëm njëri nga ta gjeti veten në formacionin startues, ai ishte Lindon Emërllahu.
Kurse minuta mori edhe Lumbardh Dellova i cili luajti tërë pjesën e dytë dhe Ilir Krasniqi luajti vetëm 12 minuta.
E minuta në këtë miqësore nuk pati për dy top golashënuesit e Superligës, Muhamet Hysenin dhe Drilon Hazrollajn.
U quajt një test për të provuar lojtarët e rinj, mirëpo minutat e merituar nuk i morën ‘ajka’ e Superligës.
Kujtojmë që Muhamet Hyseni realizoi 26 gola në Superligën e Kosovës, ndërsa Drilon Hazrollaj vetëm një më pak.
Një tjetër dështim i Kosovës dhe një padrejtësi për lojtarët që luajnë në elitën e futbollit kosovar duke marrë parasysh nivelin e ndeshjes.
NJË GODITJE NË PORTË BRENDA 90 MINUTAVE
Kombëtarja e Kosovës ka një sulm me emra shumë të njohur ndërkombëtarisht të cilët shkëlqejnë në skuadra evropiane, duke filluar nga Edon Zhegrova, Vedat Muriqi, Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi.
Ndërsa ka edhe dy top lojtar si Muhamet Hyesni e Drilon Hazrollajn që janë makineri golash.
Foda startoi me Muriqin, Zhegrovën dhe Rashanin në sulm, ky i fundit u zëvendësua në minutën e 40-të pas një lëndimi.
Kurse pesë minuta më parë Kosova mbeti edhe pa mesfushorin Valon Berisha, ku trajneri bëri një ndërrim mesfushor-sulmues, duke futur Albion Rrahmanin në vend të tij.
Pas këtij zëvendësimi ndërroi edhe skema e formacionit ku po aplikohej sistemi 4-4-2 nga 4-3-3.
As ky sistem nuk po kryente punë, pas 45 minutave ‘dardanët’ nuk patën as edhe një goditje të vetme në portë.
Ndërsa pas 90 minutave vetëm një goditje në portë edhe ajo fare pak e rrezikshme.
Në tri ndeshjet e fundit Kosova ka shënuar vetëm një gol.
MESFUSHA PIKA E DOBËT E KOSOVËS
Një ndeshje për të marrë shënime duke filluar nga përzgjedhja e lojtarëve të ftuar e deri tek formacioni startues.
Reparti i cili duhet të funksionoj më së shumti në lojën e futbollit, natën e mbrëmshme tek ‘dardanët’ dështoi, mesfusha e Kosovës la shumë për të dëshiruar.
Me Valon Berishën i cili u lëndua dhe u detyrua të dal jashtë, Lindon Emërllahu i cili vjen pas një rikuperimi nga një lëndim i rëndë dhe Blendi Idrizi i cili kohë pas kohe luan tek skuadra e Schalkes në Gjermani.
Një mesfushë e mangët, ku mungoi shpejtësia, e pasimet.
Me largimin e Berishës, Foda pati ‘dhimbje koke’ pasi nuk pati një mesfushor klasik që të zëvendësoj kok për kok të lënduarin.
Kjo edhe bëri edhe më të komplikuar lojën në vazhdim.
Pas ndeshjes askush nuk foli madje as për media, kampin dardan e mbuloi heshtja e plotë.
Por a është kjo ‘heshtje’ një qetësi para stuhisë?
A i mori Foda përgjigjet nga lojtarët para ndeshjeve të rëndësishme të Nations League?
Shtatori është muaji ku Kosova nis fazën tjetër të Nations League dhe ndodhet një grup me Rumaninë, Qipron Lituaninë.
Këto kombëtare janë emra të njohur për Kosovën pasi u ndeshën edhe më parë mes veti ku me Rumaninë, dardanët patën një barazim dhe një humbje.
Kurse me qipriotët kombëtarja triumfoi në dy ndeshjet.
Ndërsa me Lituaninë luajti vetëm një ndeshje miqësore në vitin 2021, ku triumfuan 4-0.
Dardanët deri më tani nuk kanë arritur të kenë sukses dhe të kualifikohen në ndonjë kompeticion të madhor si Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.
Ndërsa me ardhjen e Fodës është ngritur morali i lojtarëve, ku e kanë theksuar edhe vetë lojtarët.
Në tri ndeshjet e parë të tij loja e Kosovës la shumë për të dëshiruar, mirëpo këto rezultatet janë një test për të parë situatën dhe gjendjen e lojtarëve.
Epoka e Fodës në një ndeshje zyrtare fillon pikërisht në shtator ku Kosova luan ndeshjen e parë në ciklin e ri të Nations League ndaj Rumanisë në tokën dardane.
Ndërsa në shtator do të ketë edhe një ndeshje tjetër ndaj Qipros në udhëtim.
Skuadra e cila arrin të dal e para nga ky grup rrit gjasat për një vend në play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës, andaj testi i vërtet i Fodës është aty./Arbresh.info/Drilon Halili/
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë