Trajneri i Kosovës në xhudo u del në mbrojtje presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit: Jemi përkrah jush

18:36 | 24 Qershor 2020
A. B.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, u ka dalë në mbrojtje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselit – ndaj të cilëve u ngrit sot aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) – duke e shprehur bindjen për pafajësinë e tyre.

Zyra e prokurorit në Gjykatën me bazë në Hagë e bëri sot publike aktakuzën ndaj presidentit Thaçi, Veselit dhe nëntë personave të tjerë, raporton Gazeta Express.

Kuka e ka zgjedhur rrjetin social Facebook për ta shprehur krenarinë me luftën e UÇK-së dhe dy ish-pjesëtarët e saj të cilët sot akuzohen për krime lufte gjatë viteve 1998-99.

Trajneri i mirënjohur kosovar e ka zgjedhur një fotografi nga Lojërat Olimpike Verore në Rio të Brazilit në vitin 2016, në të cilën shihet me presidentin e Kosovës dhe fituesen e vetme dhe historike të medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendin.

“Sot jemi përkrah jush Presidenti Thaçi dhe z.Kadri Veseli! Ishte krenari për ne që ishit prezent në fitoren e medaljes së artë Olimpike për Kosovën tonë! Krenar me luftën e pastër të UÇK! Jemi të bindur që do ktheheni të pafajshëm”, ka shkruar Kuka në Facebook.

Presidenti Thaçi, Veseli dhe të tjerët akuzohen për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukjen e detyrueshme të njerëzve, përndjekje dhe torturë.

Në aktakuzë shkruhet se ata mbajnë përgjegjësi kriminale për gati 100 vrasje, dhe se viktimat janë serbë, shqiptarë të Kosovës dhe të etnive të tjera, përfshirë kundërshtarë politikë.

Megjithatë, gjykata e bën të qartë se aktakuza nuk është aprovuar ende nga gjykatësi.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10220243554056948&set=a.10200717797685242&type=3&theater

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme