Trajneri i Hungarisë tregon situatën e lojtarit të dëmtuar rëndë

09:01 | 24 Qershor 2024
L G

Përzgjedhësi i Kombëtares së Hungarisë, Marco Rossi, ka zbuluar se futbollisti Barnabas Varga është në gjendje stabile, por se do të ketë nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale pas një përplasjeje të dhunshme në duelin e xhiros së tretë të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian kundër Skocisë.

Në një fund të çmendur dhe me një gol në minutën e 100-të, hungarezët fituan ndaj Skocisë me rezultat 1-0 dhe kështu siguruan pozitën e tretë, e cila u sjell disa ditë pritje për të ditur nëse do të luajnë në fazën eliminatore të Euro 2024.

Megjithatë, detaji që shënoi ndeshjen ishte një përplasje e rëndë mes futbollistit hungarez Barnabas Varga dhe portierit skocez Angus Gunn. Më e vështirë ishte për hungarezin, i cili për disa minuta ishte shtrirë i palëvizur dhe pa ndjenja në fushë, ndërsa bashkëlojtarët e tij shikonin në panik dhe lot se çfarë po ndodhte.

Trajneri i Hungarisë, Marco Rossi, ka zbuluar se çfarë ka ndodhur dhe ka shtuar se Varga është në një gjendje stabile, por për të ka përfunduar kampionati evropian.

“Ai ishte pa ndjenja, kështu që të gjithë ishin shumë të shqetësuar për gjendjen e tij, por edhe për faktin se ekipet mjekësore u vonuan. Është e mundur që ata mendonin se nuk ishte një situatë e rrezikshme”, ka thënë fillimisht Rossi.

“Fatmirësisht nuk rrezikohet jeta dhe do të operohet menjëherë këtu në Gjermani. Është i qëndrueshëm dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse kalojmë nuk do të jetë pjesë e ekipit”, përfundoi përzgjedhësi i Hungarisë.

Lojtarët hungarezë i dhanë mbështetje Vargës dhe golashënuesi i fitores Kevin Csoboth ngriti fanellën në mbështetje të futbollistit fatkeq.

Mediumi hungarez M4 Sport raportoi se Varga ka mundur të kontaktojë me ekipin mjekësor pasi rifitoi vetëdijen. /Telegrafi/

Të ngjashme