Topalli e Krasniqi besojnë në fitoren e Kosovës

16:26 | 11 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot paradite stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali për tu përgaditur për kualifikimet për Euro 2024.

Përzgjedhësi, Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët.

Dy të grumbulluarit për herë të parë në Kombëtare për ndeshje zyrtare, Jetmir Topalli dhe Ermal Krasniqi janë shprehur të lumtur që janë pjesë e grumbullimit për dy përballjet shumë të rëndësishme kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.

“Ndihem sikur të isha për kohë të gjatë pjesë e Kombëtares. Jemi si familje dhe jam shumë i lumtur dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjendja e ekipit është e mirë, jemi duke u përgatitur maksimalisht me ritëm të ngadaltë, por në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj që në ndeshjen ndaj Rumanisë ta bëjmë atë që dimë më së miri.  Objektivat tona tashmë dihen dhe do të futemi në lojë me objektiv të qartë për të fituar si në ndeshjen ndaj Rumanisë ashtu edhe ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Topalli.

Ndërkaq, Ermal Krasniqi ka thënë se ftesa nga Kombëtarja ka qenë një ndjenjë e veçantë.

“Është ëndërr për çdo futbollist të luaj për shtetin e tij. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe lojtarët po duken në formë. Mezi presin ditën e ndeshjes dhe janë të motivuar maksimalisht dhe besoj se do të arrijmë të marrim rezultate pozitive nga këto dy ndeshje. Janë dy ndeshje që duhet t’i fitojmë, sepse është treni i fundit për ne dhe duhet ta japim të gjithë maksimumin për të arritur rezultatin pozitiv. Do të hyjmë në fushë të fitojmë ndeshjet për t’i gëzuar ‘Dardanët’, sepse ata janë lojtari i 12-të për neve në fushë”, ka thënë Krasniqi.

Kosova ndeshjen e parë e ka kundër Rumanisë në stadiumin, “Fadil Vokrri”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme