Futbolli anglez ngërthen në vete karaktere fort interesante. I tillë është edhe Atdhe Nuhiu, kosovari që luan për Sheffield Wednesday. Bashkëlojtarët i kanë vënë nofkën Dave, ose I madhi, sepse s’ia shqiptojnë dot emrin, ndërsa ai vet shkon herët në palestër, ku nuk lëshon rastin për të dëgjuar muzikën e tij të preferuar, atë të reperit gjerman Bushido.
“Shpesh jam i pari që shkoj aty”, thotë Nuhiu. “Trajneri i fitnesit e di krejt listën e këngëve që dëgjoj. S’e di në i pëlqen, por e di që është mësuar tashmë. Kur vijnë të tjerët më thonë ‘ndërrojë këtë dreq muzike’, por mua nuk ma ndjen fare. Vazhdoj ta dëgjoj. Bushido është gjerman. Por shumicën e këngëve që dëgjoj janë të reperëve shqiptarë, si Capital T. Në dhomat e zhveshjes ata lëshojnë këngët e Drake, që bën muzikë fort të mirë, por jo për shijen time”.
Një orë e kaluar me të është mësim, pasi ai ka qëndrime të formuara për Brexit, konfliktet në Ballkan dhe të qenit mysliman në Angli. “Nuk i festoj Krishtlindjet, sepse jam mysliman, jo i krishterë, por i respektoj ata që e bëjnë këtë gjë. Religjioni nuk është çështje për të cilën do të bëja sherr”.
“Të tjerët ndjekin rrugën e tyre, unë timen. Mish derri nuk ha, por as krejt strikt nuk jam. Nuk më pëlqen të agjëroj kur luaj. Por do të doja shumë të shkoja në Haxh, për ta parë si është”.
“Besimi nuk duhet të na ndajë. Toleranca duhet të mbizotërojë. Në Kosovë, kishat dhe xhamitë janë afër njëra-tjetrës. Midis Prishtine kemi katedrale të madhe. Kemi të krishterë në përfaqësuese. Të atillë që kanë bërë tattoo kryqin, por kjo nuk më ndalon të flas me ta”.
“Pa marrë parasysh çka ka të shkruar në Bibël, apo Kuran, nuk besoj se diku thuhet ‘Bëji tjetrit dëm’. Të gjithë e dinë këtë gjë. Besoj që për të qenë njeri i mirë nuk duhet tjetrit t’i bësh keq”.
Ai e pranon se nuk i pëlqen aspak perceptimi i një pjese për Islamin. “Nuk bëjmë gjë edhe po u shpjeguam. Shumica nuk do të na dëgjorë fare”, thotë ai. “Në Amerikë, ndodh që ndonjë i çmendur të vrasë fëmijë në shkollë, dhe zakonisht ai është i krishterë, jo mysliman. Ndaj nuk janë të denja akuzat që u bëhen myslimanëve. Jam rritur duke i dëgjuar ato”.
Rrënjët i ka në Prishtinë, skenë e trandjeve të mëdha gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. “Si mund ta shpjegoj? Shumica dërrmuese e banorëve të Kosovës(95%) janë shqiptarë, që kanë kulturë të veten, krejt e ndryshme nga ajo e serbëve, dhe në fund fituam pavarësinë”, transmeton Klan Kosova.
“Kam lindur në Prishtinë, por pas vetëm gjashtë muajsh familja u zhvendos në Austri. Problemet kishin nisur tashmë bashkë me shpërbërjen i ish-Jugosllavisë. Babanë e kisha profesor të biologjisë dhe kimisë në Prishtinë, por ai nuk punonte më. I duhej të kujdesej për familjen, ndaj u largua. Fillimisht ai, pastaj nëna dhe unë”.
“Por ne nuk ishim refugjatë lufte, si ata më 1997,98,99. Të afërmit i kam pasur në Kosovë gjatë asaj periudhe, dhe as nuk mund të bisedonim me ta, sepse telefonat nuk punonin. Luaj për Kosovën, ekip në të cilin ka djem që kanë jetuar atje gjatë luftës. Por kurrë nuk i pyes për përjetimet e tyre. Nuk do të ishte e drejtë”.
Ai u rrit në sigurinë që ofron Austria, duke adhuruar yjet e Real Madrid, si Davor Suker e Fernando Redondo, ndërsa bëri emër tek Rapid Viena, duke qenë pjesë edhe e skuadrës U-21 të Austrisë.
“Kur Kosova shpalli pavarësinë, unë ende nuk isha ftuar nga Austria, ndaj nuk kisha pse të mendoja shumë. Mundësia për të përfaqësuar vendim prej nga vijë më bën krenar. Ata njerëz kanë vuajtur shumë. Shqiptarët e Kosovës vazhdimisht janë shtypur nga serbët”.
Shumë familje lanë vendin gjatë luftës, dhe talentët kosovarë u bënë pjesë e gjeneratave të reja të Zvicrës, Belgjikës, Shqipërisë, apo ndonjë vendi tjetër. “Mjafton të shikosh sa lojtarë ka në përfaqësuesen e Zvicrës. Rreth dyzet për qind. Po në atë të Shqipërisë? Më shumë se gjysma. Dhe kemi përfaqësuesen tonë. Një vend kaq i vogël ka lojtarë për tre përfaqësuese. Por ku ishin ata para luftës? Përgjigja është: aty, por e kishin të pamundur të zhvilloheshin, sepse serbët dhe jugosllavët tjerë s’i lejonin të bënin përpara”.
“Shaqiri dhe Xhaka janë nga Kosova. Vëllau tjetër Xhaka luan për Shqipërinë. Pastaj është edhe Adnan Januzaj. Nëse të gjithë këta do të luanin për Kosovën, me shumë gjasë unë nuk do të ftohesha. Nuk po tallem. Do të ishte përfaqësuese shumë e fortë. Vendimi që ata kanë marrë ka qenë e drejtë e tyre. Janë rritur në Zvicër dhe e kanë pasur këtë të drejtë”, transmeton Klan Kosova.
Nuhiu bëhet emocional kur flet për paraqitjen e 18 nëntorit, e shtata për të në fanellën e Kosovës, që atë ditë mposhti Letoninë. “Ishte ndeshje e veçantë. Ne fituam 4-3, në ndeshjen e parë të luajtur në Kosovë, për mua”.
“Më herët luanim në Shqipëri, sepse stadiumi nuk ishte gati. Kam luajtur shumë ndeshje dhe shënuar shumë gola të rëndësishëm, por ajo fitore më shijoi ndryshe. Ishte shumë emocionuese. Njerëzit në Kosovë nuk janë të mësuar fort me lumturinë. Por janë shumë krenarë me ne”.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...