The Guardian: Kundër Anglisë, Kosova tregoi përse njerëzit po e lartësojnë

09:34 | 12 Shtator 2019
Arbresh Info

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” beson se me gjithë humbjen kundër Anglisë, Kosova e ka arsyetuar lartësimin që e gjithë bota ia kishte bërë deri para kësaj përballje kualifikuese për Euro 2020, duke shkruar se Kombëtarja dardane i përmbushi pritjet me atë që e shfaqi në pjesën e dytë në St Mary’s.

Në një shkrim për 10 temat diskutuese të futbollit ndërkombëtar këtë javë, e përditshmja britanike e ka Kosovën temë të parë diskutimi.

Anglia e mundi Kosovën 5:3 të martën në një ndeshje triller kualifikuese për Euro 2020, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje kombëtares verdhekaltër.

Para se ta vizitonte Southamptonin të martën në mbrëmje, Kosova kishte shënuar 10 fitore dhe kishte barazuar pesë herë të tjera në 15 ndeshjet e fundit.

Humbjen e fundit e kishte pësuar në tetor të vitit 2017, në një ndeshje kualifikuese kundër Islandës (2:0) për Kupën e Botës 2018.

Vlerësimi i The Guardian për Kosovën:

Kosova u fut në ndeshje kundër Anglisë e pozicionuar në vendin e dytë në Grupin A dhe si një Kombëtare për të cilën po flisnin të gjithë, përfshirë Gareth Southgate, si kundërshtare e rrezikshme. Nuk u duk tamam kështu pas pjesës së parë pasi nikoqirja po udhëhiqte 5:1, por Kosova doli në pjesën e dytë jo vetëm duke luftuar por e riorganizuar dhe ia futi Anglisë frikën në palcë. Valon Berisha u veçua, duke i shënuar dy gola, por sulmuesi Vedat Muriqi tregoi forcë dhe syhaptësi (pa përmendur këtu pasimin me këmbën e majtë që e ndau mbrojtjen angleze për golin e dytë të Berishës), derisa Bersant Celina i Swansea shtoi dredhi. Mbase, kontributi më i rëndësishëm u dha nga trajneri Bernard Challandes. Kalimi në skemën 4-4-2 nga ai e shtoi dukshëm presionin mbi mbrojtjen e dobët të Anglisë dhe e bëri dallimin në pjesën e dytë, në të cilën Kosova i përmbushi pritjet.  

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme