Teuta merr tre pikët e para dhe fundos Kamzën

22:30 | 2 Shtator 2018
Arbresh.info

Në ndeshjen e tretë ka ardhur tre pikshi i parë për Teutën në këtë edicion të Superligës. Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi ka mposhtur në “Niko Dovana” me rezultatin minima l -0, Kamzën e Devollit që nuk ka mundur dot të rezistojë deri në fund për të marrë një barazim në transfertën durrsake.

Loja nis me të dyja skuadrat që në minutat e para janë në sulm në kërkim të golit. Kamza tenton me anë të kundërsulmeve që të surprizojë durrsakët. Martinena dhe Plaku tentojnë me shpejtësinë e tyre të vënë në vështirësi skuadrën e Shkëmbit, por janë të pasaktë përballë Isli Hidit. Teuta nga ana tjetër përpiqet të reagojë me anë të goditjeve të lira, por nuk ia del dot të shkojë deri te goli. Skuadra durrsake ka rastin më të pastër të ndeshjes, kur Latif del i vetëm përballë portës, por gabon dhe ndalet nga Avdyli.

45 minutat e dyta nisin me të njëjtin ritëm që u mbyllën të parat. Bledi Shkëmbi hedh në fushë afrimin më të fundit në merkato, Gerhard Prognin për t’i dhënë më shumë freski mesfushës, por sërish mungon konkretizimi në fazën ofensive. 20 minutat e para të pjesës së dytë karakterizohen nga lufta e ashpër në mesin e fushës mes të dyja ekipeve. Me kalimin e minutave Teuta fillon ta marrë ndeshjen në kontroll. Devolli kundëpërgjigjet duke bërë disa zëvendësime, por që nuk japin rezultatin e duhur.

Në minutën e 74’ zhbllokohet ndeshja. Është Latif, ai që shënon për durrsakët me kokë pas krosit të çuar në zonë nga Hakaj. Me shënimin e golit, Teuta vijon të qëndrojë në sulm, në kërkim golit të sigurisë, ndërsa Kamza mundohet të reagojë për të barazuar edhe pse nuk e ka forcën e duhur.

Deri në fund, pavarësisht insistimit të Kamzës rezultati mbetet i pandryshuar dhe Teuta merr kështu fitoren e parë sezonale duke shkuar në kuotën e 5 pikëve. Ndërsa Kamza pëson humbjen e dytë radhazi, pas asaj me Partizanin një javë më parë, mbetet në kuotën e tre pikëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme