Entuziazmi i Vllaznisë nuk mjafton, pasi Superkupa e Shqipërisë shkon te Teuta për të dytin vit radhazi, me durrsakët triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 dhe konfirmuan se janë skuadra më në formë në Superiore, pasi kanë fituar katër trofe në dy sezonet e fundit.
Në një atmosferë të vakët, nga prania jo e shumtë e tifozëve në shkallët e “Elbasan Arenës”, përveç finales së Superkupës, kishte mjaft interes edhe për sistemin VAR, që aplikohej për herë të parë në një ndeshje të futbollit shqiptar dhe u thirr në apel vetëm një herë të vetme gjatë 90 minutave.
Sfida nisi vrullshëm për Vllazninë, teksa në minutën e tretë Gjurgjeviç rikuperon një top në gjysmëfushën durrsake dhe nis një kundërsulm të shpejtë për kuqeblutë, që konkretizohet me një goditje nga distanca të Jonuzit, por reagoi mjaft mirë Pano Qirko, duke grushtuar sferën.
Në minutën e tetë jep shkëndijën e parë edhe Teuta, me Kallakun që lëvizi mirë drejt qendrës dhe shërbeu për Asion Dajën, i cili testoi aftësitë e Zogovic me një goditje nga distanca, megjithatë reagon mirë malazezi, ndërsa në vijim të aksionit, Plaku godet mbi kuadrat me kokë.
Vetëm dy minuta më vonë kërcënon sërish Teuta, pas një vertikalizimi mjaft të mirë për sulmuesin Gjeorgiev, që ishte i lirë në zonë, por goditja e tij bllokohet nga Zogoviç, i cili më pas zotëron edhe goditjen e Plakut nga distanca.
Kundërsulmon menjëherë shpejt Vllaznia, me anë të Liridon Latifit, që provon me një gjuajtje kros, por zotëron në dy kohë portieri Pano Qirko, duke mos i dhënë mundësi sulmuesit Gjurgjeviç të shtyjë topin në rrjetë.
Në minutën e 24-t, pas një topi të gjatë të Teutës, Plaku ul për Gjorgiev, i cili gjuan menjëherë, por has në reagimin e Zogoviç, megjithatë edhe nëse do të kishte gol, do të anulohej nga ana e VAR-it për një pozicion jashtë loje të dukshëm.
Në të 34-ën, kundërsulmon shpejt Vllaznia, me Diagne që shërben për Latifin, i cili hyn në zonë i vetëm me portierin, por në momentin e goditjes, ndërhyn Adolf Selmani, që ia largon topin në këndore.
Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndonëse mundësitë nuk munguan, me Vllazninë që ishte dukshëm më kërkuese dhe Teutën, që kërkonte të ulë ritmin e të kundërsulmonte rrezikshëm.
45-minutëshi i dytë nisi me një ritëm më të qetë dhe me skuadrat disi më të kujdesshme, teksa goli i avantazhit për Teutën erdhi vetëm në minutën e 57’. Albano Aleksi mori një top dhe avancoi për disa metra i lirë në gjysmëfushën kundërshtare, lëshoi një goditje pa shumë pretendime, por malazezi Zogoviç e nënvlerësoi dhe pa t’i rrëshqiste topi nga duart.
Durrsakët gjejnë avantazhin, ndërsa te Vllaznia nuk u besojnë syve për atë gol të pësuar dhe humbin tërësisht toruan. Vetëm 5 minuta më vonë është sulmuesi i sapo-futur në fushë, Ildi Gruda që rikuperon një top nga këmbët e Gurishtës dhe driblon portierin Zogovic për të shënuar edhe golin e dytë.
Festë në kampin durrsak dhe tension në atë shkodran, teksa tifozëria kuqeblu hedh edhe sende në fushë, e provokuar nga një festim i sulmuesit Gruda poshtë tribunës ku ata ishin vendosur.
Trajneri Brdaric provon të freskojë skuadrën me lojtarë sulmues, por rastin më të mirë e kë sërish Teuta, që kërcënon me një goditje nga distanca të Kallakut, megjithatë topi përfundon mbi kuadratin e portës.
Në minutat 72′ dhe 73′ shkodranët i shkojnë shumë pranë golit, por sulmuesit nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetë. Mundësia më e mirë e shkodranëve u regjistrua në minutën e 80’, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, Aralica provoi të kalojë topin mbi portierin Qirko, por ky i fundit ia doli të ndalë sferën që po i drejtohej rrjetës.
Në minutën e 82-të vjen edhe momenti për të përdorur sistemin VAR, një risi e këtij sezoni në futbollin shqiptar. Çoba merr një pasim të shpejtë vertikal dhe fiton duelin e shpejtësisë me Selmanin, ndërsa më pas mposht edhe Qirkon, duke dërguar topin në rrjetë, por arbitri akordon pozicion jashtë loje, që konfirmohet edhe nga pamjet e VAR-it.
Në minutën e 90’ është Sebino Plaku që ka në këmbë topin e golit të tretë, por ndonëse mposht portierin Zogovic, sfera nuk i bindet dhe përfundon pak centimetra larg shtyllës pingule të portës së shkodranëve.
Megjithatë vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi veteran nuk mund të gabonte sërish, pasi mori një asist perfekt nga Kallaku dhe dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur suksesin 3-0 të durrsakëve, që konfirmojnë se pavarësisht ndryshimeve të shumta në ekip, mbeten sërish skuadra për t’u mundur.
Trump e zgjodhi këshilltar për sigurinë kombëtare, reagon Mi...
“Ujku i Çeliktë” – Kurti: Më shumë investim në ushtri,...
Gjenden të vdekur tre fëmijë në Francë, policia në kërkim të...
I gatshëm të largohet nga Arabia: Neymarit i ofrohet një meg...
SHBA ndalon linjat ajrore të fluturojnë në Haiti pasi dy avi...
Të paktën 15 të vdekur nga përplasja e të burgosurve në burg...