Google ADS

Tetë skuadra për një qëllim triumfin në Final 8, sot nis beteja e madhe për Kupën e Kosovës

12:37 | 13 Shkurt 2024
D.H

Gjakova është nikoqire e eventit madhështor të Final 8 Kupës së Kosovës në basketboll.

Ky event fillon sot dhe përfundon në një ditë shumë të veçantë për shtetin e Kosovës, në ditën e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt, shkruan Arbresh.info.

Tetë skuadrat  Trepça, Peja, Prishtina, Ylli, Vëllaznimi, Bashkimi, Prizreni dhe Istogu, kanë vetëm një synim të triumfojnë të shtunën në finalen e madhe.

Por para se të mbërrijnë në finale skuadra do t’i kenë dy teste tjera, që fillojnë nga sot.

Gjatë ditës së sotme luhen dy sfida interesante ku spikat ajo mes nikoqirit Vëllaznimit ndaj Golden Eagle Yllit.

Sfidë kjo që fillon nga ora 20:00 dhe pritet të sjellë atmosferë impozante në palestrën “Shani Nushi”.

Në katër ndeshjet e para mes këtyre dy skuadrave, suharekasit kanë qenë një nuancë më të mirë, duke fituar tre prej tyre.

Në njërën nga këto sfida Ylli eliminoj Vëllaznimin nga Superkupa e Kosovës, event i cili u mbajt në Suharekë.

Ndërsa sonte Vëllaznimi kërkon që në “konakun” e tij t’i revanshohet Yllit dhe të vazhdoj garën për Kupën e Kosovës.

Por para kësaj ndeshje me fillim nga ora 17:00, përballet skuadra e Trepçës ndaj Istogut.

Trepça si favorit në letër kërkon kalimin tutje dhe të vazhdoj rrugën për në finale aty ku nuk mungon tash e dy sezone me radhë ku edhe ka triumfuar për dy vite me radhë, në këtë event.

Kupa e Kosovës do të vazhdoj edhe nesër me dy super përballje.

Derbi midis Pejës dhe Bashkimit padyshim është sfida kryesore e këtyre çerekfinaleve duke ditur rivalitetin që kanë këto dy skuadra ndërmjet vete.

Këtë sfidë edhe më të zjarrtë do t’a bëj prania e dy tifozërive, që pritet të krijojnë atmosferë të jashtëzakonshme.

Kjo ndeshje fillon në ora 17:00.

Këto dy skuadra kanë sjellë përballje të forta këtë sezon, e më së miri e tregoj sfida e fundit që është luajtur gjatë javës së kaluar në Prizren, ku triumfoi Bashkimi.

Kurse çerekfinalet mbyllen me duelin ndërmjet Prishtinës dhe Prizrenit.

Prishtina e përforcuar së fundmi edhe me dy lojtar të tjerë e dëshiron triumfin në këtë event me do e mos që të rris motivin për vazhdimin e kampionatit.

Ndërsa Prizreni mund të jetë një befasi e këndshme duke marrë parasysh rosterin e pasur me lojtar mjaft të mirë vendor e po ashtu edhe të huaj.

Kjo sfidë do të filloj të mërkurën mbrëma me fillim nga ora 20:00.

Dita e enjte do të sjell përballje edhe më të zjarrta duke marrë parasysh se ngushtohet edhe më shumë rrethi dhe mbesin katër skuadra gjysmëfinales.

Faza e gjysmëfinaleve fillon pra ditën e enjte me ndeshjen mes fituesit të ndeshjes Trepca-Istogu dhe fituesin tjetër të ndeshjes Vëllaznimi-Ylli.

Ndërkohë në gjysmëfinalen e dytë do të ndeshet fituesi i ndeshjes Peja-Bashkmi kundër fituesit Prishtina-Prizreni.

Ky event fantastik do të përmbyllet në një ditë fantastike dhe shumë të dashur për vendin tonë, ditën e Pavarësisë së shtetit të Kosovës me 17 shkurt.

Kjo datë do të jetë një festë e dyfishtë në qytetin e Gjakovës, pasi pritet të shpallet kampioni i Kupës së Kosovës nën atmosferën brilante në palestrën “Shani Nushi”.

PËRGATITJET E FUNDIT, MASAT DHE VENDIMET E FBK-SË DHE ORGANIZOTARIT PËR KËTË EVENT

Padyshim që çdo ngjarje në basketboll përcjellët me shumë vëmendje nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Por jo rrallë herë këto situata janë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Tifozët ani pse janë “hijeshia” e basketbollit dhe sportit në përgjithësi, ata shumëherë kanë ditur të krijojnë skena që asnjëherë nuk duhet të shihen dhe përjetuar në sportin e basketbollit.

Këto kanë bërë që në shumë ndeshje këtë sezon palestra të zbrazet si shkak i fyerjeve, sharjeve dhe mjeteve të rënda të hedhura në drejtim të lojtarëve ose tifozëve ndërmjet vete.

Pas gjithë këtyre ngjarjeve FBK pati marrë vendim që çdo sharje dhe problem më i vogël në palestër të sanksionohej me përjashtim nga palestra.

Por këto rregulla duket se kanë funksionuar dhe tifozët kanë treguar kulturë të mirë dhe nuk ka pasur edhe aq shumë probleme që nga tetori deri në këto kohë.

Kjo ka bërë që FBK të lejojë udhëtimin e organizuar të tifozëve gjatë këtij eventi mirëpo me rregulla strikte.

Duke marrë parasysh rivalin e madh që kanë skuadrat dhe tifozëritë mes vete, FBK së bashku me klubin organizator kanë hartuar një planë për mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ngjarje.

Në këtë plan gjithëpërfshirës hynë edhe Policia e Kosovës që ka për detyrë, të marrë secilin tifo-grup të organizuar në hyrje të Gjakovës dhe t’i shoqërojë deri në palestrën “Shani Nushi”.

Gjithashtu policia pas përfundimit të ndeshjes do t’i shoqërojë ata sërish deri në dalje të Gjakovës.

FBK si asnjëherë më parë është përkushtuar që kjo ngjarje të kaloj sa më mirë dhe për këtë tregojnë edhe masat që ka marrë për secilin tifoz që do të hyjë në palestrën “Shani Nushi”.

Nën moton “Shqiptarinë e kemi bashkë”, Kupa e Kosovës pritet të bashkojë shqiptarët nga e gjithë Kosova, për këto katër ditë dhe të sjellë emocione të mëdha basketbollistike.

Kujtojmë që kampion në fuqi i kësaj kupe është Trepça që triumfoi vitin e kaluar në Rahovec ndaj Sigal Prishtinës./Arbresh.info/

Të ngjashme