Ten Hag konfirmon interesimin e klubit për transferimin e lojtarit që e shitën pesë muaj më parë

12:05 | 19 Tetor 2024
E.K

Erik Ten Hag ka konfirmuar se klubi është i interesuar për transferimin e Alvaro Fernandez pas kalimit të tij të përhershëm tek Benfica në verë.

Fernandez iu bashkua Unitedit si 16-vjeçar nga Real Madridi, por që ai u huazua tek Preston në Championship dhe në Spanjë tek Granada.

Mbrojtësi i majtë nuk ia doli që të sigurojë debutimin me ekipin e parë në ‘Old Trafford’, duke iu bashkuar Benficas në huazim në janarin e vitit të kaluar.

Gjiganti portugez e aktivizoi opsionin për ta blerë kartonin e tij për vetëm pesë milionë euro në maj, me Fernandez që tashmë është bërë njëri prej lojtarëve kyç të skuadrës.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Ten Hag tha se klubi po monitoron nga afër progresin e 21-vjeçarit për të cilin kanë klauzolën e riblerjes.

“Mendoj se procesi po shkon perfekt. Ne e huazuam atë tek Prestoni, ai u rikthye, pastaj e huazuam tek Granada, ai nuk luajti shumë atje, dhe natyrisht ne, gjatë gjithë kohës, e kemi ndjekur atë dhe pastaj kishim mundësinë për ta shitur atë”.

“Por ne kemi klauzolën e riblerjes kështu që jemi nën kontroll të situatës. Mendoj se kjo është çfarë na duhej”, ka thënë Ten Hag.

Fernandez ka luajtur titullar në gjashtë ndeshje nga shtatë sa i ka zhvilluar gjithsej me Benfican në kampionat, teksa në pesë prej tyre luajti 90 minuta të plota.

Ai shkëlqeu gjithashtu edhe në Ligën e Kampionëve duke dhuruar një paraqitje fantastike në fitoren e thellë me rezultat 4-0 ndaj Atletico Madridit./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme