Google ADS

Superliga vjen sot me superndeshje

08:03 | 18 Shtator 2019
Arbresh.info

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me tri ndeshje tejet interesante. Kryendeshja e kësaj xhiroje do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku skuadra e Llapit e pret Dritën. Interesant do të jetë edhe në “Riza Lushta” të Mitrovicës, ku Trepça ’89 e sfidon Prishtinën. Ndeshje e fortë pritet të zhvillohet edhe në Gjilan, ku skuadra me të njëjtin emër e sfidon Ballkanin, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Emocionet e ndeshjeve të Superligës së Kosovës në futboll rikthehen sot më ndeshjet e javës së pestë.

Kryendeshja e kësaj xhiroje do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku skuadra e Llapit e pret Dritën.

Të dyja skuadrat në këtë takim vijnë pasi në takimet e fundit kanë shfaqur formë të mirë. Llapi e mundi Prishtinën në “Fadil Vokrri” me rezultat 1:0, kurse Drita arriti fitore ndaj Feronikelit në Gjilan me shifrat 1:0.

Drita i prin tabelës para ndeshjes me nëntë pikë të tubuara, teksa Llapi ndodhet i katërti me shtatë pikë.

Sfidë tjetër interesante do të luhet edhe në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku Trepça ’89 e sfidon Prishtinën në një ndeshje që gjithmonë ka dhuruar spektakël.

Pa dyshim që duel interesant luhet edhe në Gjilan, ku skuadra me të njëjtin emër e sfidon Ballkanin.

Sfida e Podujevës

Kapiteni i Dritës Ardian Limani parashikon ndeshje shumë të vështirë ndaj Llapit.

Qendërmbrojtësi gjilanas vlerëson se llapjanët janë shumë të motivuar në këtë duel, sidomos pas fitores së arritur ndaj Prishtinës. “Në ndeshjen e radhës do të ketë punë shumë të vështirë, sepse do të kemi përballë një skuadër shumë të motivuar, sidomos pas fitores së fundit. Por ne do të futemi në këtë ndeshje vetëm për pikë të plota”, ka thënë para ndeshjes për gazetën “Zëri” mbrojtësi i Dritës, Ardian Limani.

Edhe futbollisti i Llapit, Behar Maliqi e ka pranuar se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë për skuadrën e tij, por dëshiron 3 pikët.

“Ndeshje e vështirë për neve sepse Drita po kalon nëpër formë të mirë, por ne i kërkojmë 3 pikë për të qenë lartë në tabelë dhe për t’i arritur objektivat që i kemi”, është shprehur Maliqi.

Trepça ’89 parashikon ndeshje të vështirë, Prishtina ka mungesa

Motivi te Trepça ’89 para ndeshjes me Prishtinën nuk po mungon. Kështu të paktën ka thënë para ndeshjes mbrojtësi i këtij ekipi, Arbër Pira. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, duke e pasur parasysh se Prishtina e ka një ekip shumë cilësor me individë të dalluar”, tha Arbër Pira për “Zërin” para ndeshjes. “Ne do të përqendrohemi në këtë ndeshje, në mënyrë që të arrijmë rezultatin i cili na konvenon”, potencoi Pira, duke zbuluar se trajneri Shpëtim Idrizi i ka në dispozicion të gjithë futbollistët.

Takimin në fjalë e ka komentuar edhe trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli. “Pres të zhvillohet një ndeshje e mirë. Do të luajmë mirë kundër një kundërshtari të fortë dhe qëllimi kryesor është të mos e humbasim këtë ndeshje. Të tria rezultatet janë opsion. Pres angazhim nga të gjithë futbollistët. Atmosfera në grup është e mirë, po punojmë në mënyrë intensive”, ka deklaruar Bylbyl Sokoli.

“Profa” ndër të tjera i komentoi edhe lëndimet e skuadrës. “Kemi të lënduar Ahmed Januzin dhe Leonit Abazin, lëndime të cilat kanë ndodhur gjatë javës, por mendoj se do t’i zëvendësojmë ata”, zbuloi Bylbyl Sokoli.

Gjilani apo Ballkani?

Dy skuadra që kanë shfaqur formë tejet të lartë në ndeshjet e para të kampionatit janë Gjilani dhe Ballkani.

Gjilanasit tashmë e kanë vënë kandidaturën për titull, duke i arritur tri fitore në tri ndeshjet e fundit, për tu “stacionuar” në pozitën e dytë me nëntë pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e parë.

Në anën tjetër, edhe Ballkani ka treguar formë të lartë në ndeshjen e parë, duke i tubuar tetë pikë.

Ndeshjet e tjera të xhiros së pestë luhen të enjten, me ç’rast do të takohen: Feronikeli – Flamurtari, Vushtrria – Drenica dhe Dukagjini – Ferizaj.

Orari

E mërkurë

Llapi – Drita 16:00

Trepça ’89 – Prishtina 16:00

Gjilani – Ballkani 12:00

E enjte

Feronikeli – Flamurtari 16:00

Vushtrria – Drenica 12:00

Dukagjini – Ferizaj 16:00

Tabela

1. Drita 4 9

2. Gjilani 4 9

3. Ballkani 4 8

4. Llapi 4 7

5. Flamurtari 4 6

6. Feronikeli 4 6

7. Trepça ’89 4 5

8. Drenica 4 4

9. Vushtrria 4 4

10. Ferizaj 4 3

11. Prishtina 3 1

12. Dukagjini 3 1./Zëri.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme