Google ADS

Superliga e basketbollit sjell duele interesante në mesjavë

14:18 | 3 Nëntor 2020
L G

Xhiroja e tretë e Superligës së basketbollit do të sjellë përballje mjaft interesante. Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshje dhe të enjten dy të tjera

Në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e tretë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshje, kurse të enjten dy të tjera.

Nesër, Trepça e pret Golden Eagle Yllit në Mitrovicë.

Mitrovicasit i kanë pësuar dy humbje nga dy ndeshje të zhvilluara, kurse therandasit i kanë dy fitore nga po aq përballje deri tash këtë edicion.

Ponte Prizreni – Peja është një takim shumë interesant, ku prizrenasit kanë një fitore dhe një humbje në këtë edicion, kurse pejanët dy fitore nga dy ndeshje dhe Dardan Berisha e Drilon Hajrizi me shokë do të mundohen ta vazhdojnë ecurinë pozitive.

Rahoveci – Sigal Prishtina po ashtu shihet si një përballje mjaft interesante, ku në vitet e fundit, takimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë shumë interesante dhe dramatike.

Bardhekaltrit i mundën “Vreshtarët” në gjysmëfinale të Superkupës, andaj ky takim po pritet me interesim të madh.

Të dyja skuadrat e kanë nga një fitore dhe nga një humbje, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës.

Bashkimi, që ishte finalist i Superkupës, do të ndeshet me Vëllaznimin, i cili ka hyrë nga Liga e Parë në Superligë.

Prizrenasit e kanë një fitore dhe një humbje, kurse kuqezinjtë dy humbje nga po aq takime. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme