Suhareka është ekipi i radhës që reagon pas tërheqjes së Feronikelit 74 nga garat

21:12 | 31 Tetor 2024
D.H

Gjatë ditës së sotme, Feronikeli ’74 ka njoftuar se është tërhequr nga garat.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ata kanë njoftuar largimin si dhe u kanë bërë thirrje prokurorisë që të nisin hetimet ndaj gjyqtarëve, shkruan Arbresh.info.

Pas këtij lajmi skuadra e parë që ka reaguar është kampioni i Kosovës në fuqi, Ballkani, menjëherë pas suharekasve kanë reaguar edhe Llapi, teksa tani radhën e pati FC Suhareka.

Sikurse dy skuadrat e lartëcekura edhe Suhareka përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar bashkëpunim me të gjithë që këto sfida t’i kalojnë së bashku për të ardhmen e futbollit kosovar.

“Me keqardhje të thellë kemi marrë lajmin për tërheqjen e FC Feronikeli 74 nga garat e Superligës së Kosovës. Si ish-kampion i Kosovës dhe klub me histori të pasur , ky vendim përbën një humbje të madhe për futbollin tonë, veçanërisht për komunitetin e Drenasit”, shkruhet fillimisht në këtë komunikatë.

“Ne, si klub i ri në këtë ligë, e kuptojmë rëndësinë dhe sfidat e menaxhimit të një klubi futbolli. Shpresojmë që arsyet që kanë çuar në këtë vendim të trajtohen me kujdes, në mënyrë që situata të mos ndikojë negativisht te klubet e tjera dhe te zhvillimi i sportit në vend. Është thelbësore që të gjithë ne, si komunitet sportiv, të punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të siguruar një të ardhme të ndritur për futbollin tonë”, thuhet në reagimin e ekipit të inkuadruar këtë sezon në elitë.

Deri më tani Suhareka është skuadra e tretë që ka shprehur shqetësim për largimin e Niklit nga garat, pas Ballkanit e Llapit, teksa ende nuk ka një reagim zyrtar nga Federata e Futbollit të Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme