Google ADS

S’u ftua nga Kosova, Arbnor Muja do e përfaqësojë Shqipërinë

13:46 | 6 Qershor 2023
Emir Abduramani

Shqipëria bind lojtarin që fitoi titullin kampion në Belgjikë, Arbnor Muja është lojtari më i ri i ‘kuqezinjve’.

Arbnor Muja nuk është parë i denjë për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjet e qershorit, por ashtu nuk mendon edhe Silvinjo.

FSHF po vazhdon me punën e saj për të thithur të tjerë talente me shumë prespektivë për të ardhmen. Deri tani duhet përgëzuar pasi Kombëtarja ka në gjirin e saj shumë elementë me potencial duke zhvlerësuar shumë prej figurave të njohura që tani janë drejt fundit të karrierës.

Shumë u përfol për mungesën e Odise Roshit për ndeshjet e qershorit, por duket se në mendjen e Silvinjos lojtari e ka mbyllur kapitullin me Shqipërinë, është koha për t’i lënë vendin të rinjve.

Sipas ‘Sport Ekspres’ në ndeshjet e radhës kualifikuese të Europianit, te ‘kuqezinjtë’ do të shohim për herë të parë Arbnor Mujan, që luan në të njëjtin rol.

Futbollisti i dalë nga Trepça ka luajtur edhe me Skënderbeun, përpara se të shkonte te Drita dhe më pas të nisej drejt Antwerp. Në këtë sezon ishte kulmi i karrierës së tij pasi fitoi titullin kampion në elitën e Belgjikës.

Kështu nga sezoni i ardhshëm, Antwerp shkon në ‘Play Off’ të Ligës së Kampionëve dhe me pak fat mund të kalojë në grupe, ndërsa të siguruar që tani ka grupet e Evropa Ligë, në rast humbje në Play Off të Champions. Futbollisti 24-vjeçar ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistime në 27 ndeshje për këtë sezon me Antwerp, megjithatë në Belgjikë mendojnë se shpërthimi i madh pritet të vijë në sezonin e ardhshëm.

Gjatë momentit të festimit të titullit, Muja ka marrë me vete dhe flamurin e Shqipërisë dhe emri i tij nuk figuronte në listën e dardanëve. Sipas informacioneve të siguruara nga ‘Sport Ekspres’, lojtari ka zgjedhur që t’i bashkohet ‘kuqezinjve’ pasi ka qenë pjesë e Kosovës dhe debutimi i tij do të vijë pas ndeshjeve të qershorit.

Të ngjashme