Kur Rusia nisi mësymjen ndaj Ukrainës shkurtin e vitit të shkuar dhe Perëndimi filloi të shtrëngonte darën e sanksioneve mbi Moskën, një ekonomist i njohur amerikan tha se “ekonomia ruse është në thelb, vetëm një stacion i madh karburanti”
Me këtë thënie, Jason Furman, ish-shefi i Këshillit Ekonomik të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama tregonte brishtësinë e ekonomisë ruse.
Në botën e sotme, “ari i zi” vijon ende të konsiderohet si pushtet. Ka shumë shtete që mund të cilësohen si “stacion i madh karburanti”, ekonomia e të cilave është gati e varur tërësisht nga nafta. Arabia Saudite është një prej tyre. Por vendi në Lindjen e Mesme është hedhur në një përpjekje për të transformuar ekonominë e saj të varur nga nafta duke ‘”joshur” dhe yjet e mëdhenj të sportit si Cristiano Ronaldo, brazilianin Neymar apo lojtarin e golfit Phil Mickelson dhe boksieri Anthony Joshua.
“Jo vetëm sporti, por në përgjithësi industria “argëtuese” iu shërben ekonomive. Sporti, arti dhe kultura janë përdorur nga ekonomi të ndryshme për të rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto të tyre”, shprehet eksperti i ekonomisë Eugen Musta.
Shpenzimi i miliarda dollarëve në sport është një pjesë kyçe e Vizionit 2030 të Arabisë Saudite, një projekt në vazhdim i drejtuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, që synon ta bëjë vendin e tij më pak të varur nga nafta e papërpunuar dhe të çimentojë pozicionin e tij në skenën botërore.
“Aktivitete sportive janë edhe evente të cilat tërheqin shumë individë të ndryshëm, pavarësisht profilit të tyre. Ato ndikojnë drejtpërdrejtë në ekonominë e këtyre vendeve”, tregon ekonomisti Zaçaj.
“Sporti prodhon para” është tashmë një tezë e konfirmuar. Rasti më i freskët ishte ai i Katarit që organizoi Kampionatin Botëror 2022 që përveç se arkëtoi miliarda dollarë gjatë ndeshjeve, po njeh bumin më të madh turistik të shënuar ndonjëherë. E njëjta ndodhi edhe me Greqinë fqinje në vit 2004, mikpritëse të Lojërave Olimpike.
“Evenimente të tilla janë shfrytëzuar prej kohësh nga vende veçanërisht me potencial turistik për të afruar sa më shumë pushues duke i dhënë një hov jetës ekonomike”, tha Leons Hasani, ekspert për ekonominë.
Ekspertë të ekonomisë mendojnë se edhe Shqipëria mund të përfitojë nëse i beson filozofisë “sporti në funksion të ekonomisë”.
“Për të mbështetur këtë tezë do ju rikujtoja vetëm finalet e Conference League të zhvilluar vitin e shkuar në Air Albania. Ekonomia u gjallërua në nivele shumë të larta direkt”, deklaroi Edison Zaçaj.
“Është një fushë për t’u eksploruar. Por duhet një plan i qartë. Shembujt e vendeve të tjera tregojnë se investimet kanë dashur kohë që të kthehen në përfitime”, shton Musta.
Ndonëse në nivele më të ulëta, gjallëri për zinxhirin e bizneseve, veçanërisht në Tiranë solli edhe ndeshja Shqipëri-Çeki.
“Nuk mund të them me saktësi se sa, por e sigurt që po ka më shumë shitje se në ditët e shkuara. Ka më shumë prurje dhe kërkesë si nga vendasit por edhe tifozët. Pas largimit të turistëve masivë, kjo ditë po mbush boshllëkun e krijuar”, shprehet Alba Bunjaku.
Ndonëse pa mundur të kemi një shifër të saktë për shkak të shkallës së lartë të informalitetit në ekonomi, zinxhiri i bizneseve të lidhura me ardhjen e tifozëve dhe turistëve me rastin e ndeshjes Shqipëri-Çeki përllogaritet të ketë pasur xhiro që kapin nivelet e dhjetëra–mijëra eurove.
“Patjetër që përfitimet janë të konsiderueshme dhe ndikimi është i drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, qytetarëve dhe bizneseve”, shprehet ekonomisti Hasani.
Dhe ato që raportohet të kenë fituar më shumë janë strukturat akomoduese./A2CNN
Shefi i Këshillit Evropian: Zgjerimi është prioritet për ne
Vullneti shkakton të qeshura teksa imiton ‘tipin’ e Gresës n...
LDK prezanton 38 kandidatet për deputete, Abdixhiku: Rruga d...
Diçka e re po vjen nga Keisi Medini?
Përplasen trenat në Rusi, të paktën 14 të plagosur
Samiti BE-BP: Liderët e Ballkanit realizojnë foton familjare...