Federata e Futbollit e Spanjës pritet ta konfirmojë kthimin e Luis Enriques në pozitën e trajnerit të Kombëtares spanjolle të martën, pasi që presidenti Luis Rubiales do të flasë para mediave.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Enrique, pritet të flasë para gazetarëve të martës, përderisa Spanja është duke u përgatitur për ta riemëruar Luis Enriquen në postin e trajnerit, në vend të Robert Morenos, shkruan AS, transmeton Gazeta Express.
Pasi fillimisht kishte qenë ndihmëstrajner i Spanjës nën Luis Enriquen, Moreno e mori postin në mars, fillimisht si ushtrues detyre, pasi ish-trajneri i Barcelonës mësoi se vajza e tij, që vdiq në gusht, ishte e sëmurë.
Moreno ndihet “i shfrytëzuar dhe i tradhtuar” nga Federata spanjolle dhe Luis Enrique
Burimet e AS, të afërta me Morenon, thonë se ai ndihet i përdorur dhe i tradhtuar nga Enrique dhe Rubiales, i cili pritet ta informojë largimin e Morenos nga posti i trajnerit gjatë orëve në vijim, para se ta japë një sqarim më të gjerë në një konferencë për shtyp.
Pasi që e kishte marrë vesh për shkarkimin e tij të hënën, Moreno nuk u paraqit për konferencën për shtyp pas fitores 5:0 të Spanjës kundër Rumanisë, që ia siguroi Spanjës kualifikimin në EURO si fituese e Grupit F.
42-vjeçari thuhet se nuk kishte qenë në gjendje të përshtatshme për t’u përballur me mediat në Wanda Metropolitano. Ai kishte qenë shumë i emocionuar në fjalimin e tij në zhveshtore, kur u tregoi lojtarëve se koha e tij në Kombëtare po merrte fund.
Drejtuesit e Federatës spanjolle po e humbnin besimin në menaxhimin e Morenos
Pasi arriti t’i sigurojë tri fitore nga po aq ndeshje si trajner i përkohshëm, Moreno i ka arritur katër fitore dhe dy barazime që kur u emërua trajner permanent i Spanjës në qershor.
Por, pasi që dera e kthimit kishte mbetur gjithnjë e hapur për Luis Enriquen, i cili ia bëri të qartë Rubialesit se është i hapur ndaj idesë së kthimit – Federata spanjolle kishte planifikuar të presë deri pas miqësoreve të marsit kundër Holandës dhe Gjermanisë për ta marrë një vendim.
Megjithatë, drejtuesit e Federatës besohet se u ka humbur besimi në menaxhimin e Morenos. /Gazeta Express/
Driloni acarohet me Fitimin për shkak të Sarës, i bën një pa...
“Simba” dhe futbollistët e Gjilanit vizitojnë me fëmijet me ...
Tre të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe një automjeti...
Slot ka dhënë një mesazh të fortë për futbollistët e tij në ...
Mbappe: Askush në Real Madrid nuk do të pendohet kurrë për n...
“Dorëzoni armët, ose do groposeni me to”, Erdogan paralajmër...