Google ADS

Spanca (ZKA): Vonesat në rinovimet e stadiumeve mund t’i kushtojnë kombëtares me humbje

12:45 | 16 Gusht 2023
KRG

Vonesat në rinovimin e stadiumeve në komunat Mitrovicë, Gjilan e Gjakovë, mund t’i kushtojnë kombëtares së Kosovës me humbje me rezultat zyrtar.

Kështu ka paralajmëruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Këtë paralajmërim ajo e dha gjatë publikimit të raportit të auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumeve të qyteteve Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, raporton Klankosova.tv.

Spanca tha se mosrealizimi i projekteve për renovimin e stadiumeve është e pafavorshme për futbollin dhe sportin në Kosovë.

“Madje, mos-përfundimi i tyre paraqet rrezik për Kombëtaren e Kosovës dhe klubet sportive, pasi ato mund të detyrohen që ndeshjet ndërkombëtare t’i zhvillojnë në shtetet fqinje apo në rastin më të keq, t’i humbin ndeshjet me rezultat zyrtar”, deklaroi Spanca.

ZKA-ja në këtë raport ka vlerësuar efikasitetin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe të komunave në fjalë të cilat i kanë në menaxhim projektet për rinovimet e këtyre stadiumeve.

Sipas Udhëzuesit të UEFA-s, siç thotë ZKA-ja, tri projektet në fjalë i takojnë kategorisë së katërt dhe se kapaciteti i stadiumeve është i lartë dhe se në momentin e lincencimit mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhe të kombëtares së Kosovës.

Në një njoftim thuhet se këto stadiume janë të vetmet që i takojnë kësaj kategorie që janë duke i realizuar këto projekte dhe se kostoja e rinovimit e tyre ka vlerën e 16.7 milionë eurove ndërsa në kohën që është kryer auditimi janë shpenzuar 5.6 milionë euro.

“Rezultatet e auditimit kanë vënë në pah se realizimi i këtyre projekteve u përcoll me vonesa disavjeçare, kosto shtesë si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit. Pavarësisht se kanë kaluar katër deri në shtatë vjet që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit. Madje, projektet mund të mos përfundojnë plotësisht dhe të mos funksionalizohen brenda afatit optimal kohor”, thuhet në komunikatën e ZKA-së.

Konkluzioni i ZKA-së është se MKRS dhe Komunat Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë nuk i arritën qëllimet e përcaktuara për renovimin dhe rikonfigurimin e stadiumeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se mos-sigurimi me kohë i parakushteve të nevojshme bëri që shpronësimi i pronave për projektin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të shndërrohet në pengesë kryesore të realizimit të punimeve.

“Ndërsa Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshime substanciale të kontratës për renovimin e stadiumit pa respektuar hapat e duhur, duke i shkaktuar komunës kosto shtesë prej 219,680 euro. Përveç kësaj, proceset e prokurimit u përcollën me probleme që cenuan transparencën dhe konkurrencën përgjatë tyre. Procedurat e negociuara në tri raste të prokurimit nuk u arsyetuan siç duhet dhe nuk plotësuan kushtet e duhura për t’u shfrytëzuar si të tilla”.

“Hartimi i projektit për stadiumin e qytetit në Gjakovë, në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e numrit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së. Njëkohësisht, shkaktoi vonesa edhe në realizimin e projektit. Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit”, thotë ZKA-ja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme