Google ADS

Southgate: Angli e bukur, finale e veçantë! Si “lindi” ndërrimi Kane-Watkins

09:55 | 11 Korrik 2024
KRG

Anglia siguroi në tokën gjermane finalen e dytë radhazi në një Europian. “Tre Luanët” mposhtën Holandën 1-2 në “Signal Iduna Park”, duel që u vendos nga goli i Ollie Watkins në minutën e parë shtesë.

Me sulmuesin e Aston Villas që erdhi nga stoli dhe realizoi një gol historik dhe të paharrueshëm pas 10 minutave që u fut në fushë.

Kombëtarja ishullore do të sfidojë Spanjën në finalen e madhe të 14 korrikut në “Olympiastadion” të Berlinit, me besimin dhe shpresën e fitimit të Europianit të parë në histori.

Gareth Southgate vlerësoi performancën e djemve të tij, teksa pas ndeshjes, dukshëm i lumtur për këtë arritje, theksoi se Anglia zhvilloi një takim shumë të mirë.

“Ne luajtëm shumë mirë. Ishte një ndeshje e komplikuar dhe ne duhej të vazhdonim të ndryshonim mënyrën se si po mbronim. Na u desh të përshtateshim në mënyrë të vazhdueshme.

Më vjen mirë që djemtë morën vendimet e duhura. Finalja është e veçantë për ekipin, erdhi si shpërblim i asaj që po bëjmë për kauzën tonë. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë janë gati të zbresin në fushë.

Zëvendësimi Kane-Watkins? E ndienim që po fillonim të humbnim pak nga ana energjike, presingu ynë po zbehej. Harry sapo kishte marrë një goditje, ndërkohë që Ollie bën mirë presing dhe sulmon thellësinë.

Menduam se ishte një moment i mirë për të provuar dhe ia dolëm. Jam i lumtur që Ollie e shfrytëzoi momentin e tij, jam i lumtur për të”, u shpreh trajneri i Anglisë pas kualifikimit në finale./Ss

Të ngjashme