Sot fillon xhiro e nëntë në Superligën e Kosovës – një takim do të luhet sipas orarit

08:12 | 18 Tetor 2024
K.B

Sot (e premte) do të rikthehet Albi Mall Superliga e Kosovës pas pauzës me kombëtare me xhiron e nëntë.

Sipas programit gjatë ditës së sotme do të zhvillohet vetëm një ndeshje ndërsa të shtunën dhe të dielën do të luhen nga dy takime.

Sfida që do të hap xhiron e nëntë në elitën e futbollit kosovar do të jetë ajo mes Gjilanit dhe Ferizajt e cila do të luhet me fillim nga ora 13:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.

Pas barazimit në derbin ndaj Dritës, vendasit do të synojnë rikthimin tek fitoret ndërkaq mysafirët të cilët morën vetëm fitoren e dytë këtë sezon ndaj Dukagjinit do të përpiqen që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Në përballjet e ndërsjella mes këtyre dy skuadrave bilanc më pozitiv ka Gjilani që numëron tetë fitore karshi katër të Ferizajt, ndërsa tri përballje janë mbyllur me barazim.

Momentalisht Gjilani mban pozitën e shtatë në tabelë dhe ka nëntë pikë të grumbulluara teksa Ferizaj renditet një pozitë më poshtë me shtatë sosh./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme