Sot, ditë historike për basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë

11:43 | 10 Shtator 2020
Arbresh.info

Sot në ora 19:00 në Tiranë pritet të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike të Baskebollit në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Federatës së Basketbollit të Kosovës kjo ligë do të përbëhet nga tetë skuadra, katër të Kosovës dhe katër të Shqipërisë, shkruan Arbresh.info.

Ky është njoftimi nga Federata e Basketbollit e Kosovës:

Pas një pune të gjatë dhe intenstive, në Tiranë, (Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi Vëllezërit Frashëri, pranë Kullave Binjake) nga ora 19:00, do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Një ligë me tetë skuadra. Katër më të mirat nga të dy vendet. Ëndrra e kamotshme bëhet realitet për formimin e një lige mes dy vendeve shqiptare.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë (FSHB) kanë punuar një kohë të gjatë për këtë projekt madhor, që sot bëhet realitet.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe  Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshje do të jetë edhe Presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel.

Demirel, i cili vitin e kaluar kishte qenë në Kosovë për të ofruar përkrahje për basketbollin e Kosovës, do të mbajë një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për të treguar se e përkrah Ligën dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme