Skënderbeu refuzon një ofertë zyrtare nga Rusia për këtë futbollist (FOTO)

18:18 | 16 Gusht 2017
Arbresh.info

Skënderbeu nuk do të ndalet. Pas Olainkës që shkoi te Genti për 1.1 milionë euro, Berisha tek Anzhi për 600 mijë euro dhe së fundmi Liridon Latifi te Pushkash për 930 mijë euro, tashmë pret që të arkëtojë edhe nga Bakari Nimaga.

Prezantimi i mirë në ndeshjet eliminatore të Europa Ligës dhe mbi të gjitha goli ndaj kazakëve të Kairat Almatit ka bërë që mesfushori të vihet nën “lupën” e klubeve të huaja.

Dhe nuk bëhet fjalë për dëshirë, por për ofertë konkrete. Në krye të listës mësohet se është një skuadër ruse, e cila renditet në mesin e tabelës. Mendohet të jetë Urali, por asgjë nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Burime për gazetën “Panorama Sport” bëjnë me dije se javët e fundit ekipi rus ka ardhur në dyert e klubit korçar me një ofertë zyrtare.

Nuk bëhet e ditur se sa janë gati që të japin, por burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se presidenti Takaj e ka kthyer mbrapsht, pasi nuk është “tunduar” nga shifrat. Ai, madje, i ka vendosur edhe çmim malienit. Pa 700 mijë euro Nimaga nuk shitet. Jo vetëm kaq, pasi drejtuesi më i lartë i Skënderbeut pret që të ruajë edhe vlerën e kartonit, por ky detaj mbetet për t’u diskutuar, pasi varion nga 10 deri në 20, si në rastin e Latifit.

Kjo kërkesë duket se e ka “ngrirë” paksa tratativën, por as e mbyllur nuk mund të quhet, pasi rusët mund të rishikojnë ofertën. Në prononcimin e tij për gazetën një ditë më parë, presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, la gjithçka të hapur për këtë çështje, ndërsa tha: “Nuk besoj se do të ketë më shitje, por asnjëherë nuk i dihet”.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim në lidhje me këtë çështje. Skënderbeu deri tani ka treguar se është një klub shumë i organizuar dhe gjërat funksionojnë mirë. Ka ende edhe disa ditë deri në mbylljen e merkatos dhe gjithçka mund të ndodhë.

Ajo që pret klubi i Skënderbeut është që Nimaga të bëjë edhe dy paraqitje të shkëlqyera në ndeshjet ndaj Dinamos së Zagrebit për të tërhequr më shumë vëmendjen, por mbi të gjitha për të justifikuar vlerën e kërkuar nga Skënderbeu për kartonin e tij.

Nimaga

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme