Google ADS

S’ka fitore për Francën përballë Hungarisë

17:42 | 19 Qershor 2021
A. B.

Hungaria edhe njëherë tregoi se nuk është një kombëtare e dobët. Pasi arriti të mbante Portugalinë pa shënuar për 84 minuta, Hungaria tani ka arritur t’i marrë një pikë kampionit aktual të botës, Francës.

Ndeshja e zhvilluar në “Puskas Arena” me stadiumin plot tifozë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1.

Pak pa përfunduar pjesa e parë, Hungaria arriti të kalonte në epërsi. Ishte Fiola i cili shënoi golin e parë të Hungarisë këtë Evropian në minutën e 45+2, duke çuar në këmbë mbi 60 mijë tifozët e mbledhur në “Puskas Arena”.

Në minutën e 66-të, Antoine Griezmann arriti të barazonte rezultatin, por kjo ishte krejt çfarë arriti të bënte Franca në këtë takim. Ata u munduan ta gjenin edhe golin e fitores, por nuk e arritën atë duke hasur në mbrojtje të fortë të hungarezëve.

Me këtë barazim, Franca merr përkohësisht primatin në grupin F me katër pikë, ndërsa Hungaria del e treta me një pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Portugalisë dhe Gjermanisë zhvillohet sonte nga ora 18:00. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme