Silva: S’e kemi lehtë në Champions, as pa Liverpoolin e Realin

10:35 | 13 Gusht 2020
A. B.

Mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, thotë se skuadra e tij nuk mendon për klubet e mëdha që tashmë janë eliminuar nga Liga e Kampionëve, pasi që thotë që gara s’do të jetë e lehtë, përkundër eliminimit të tyre.

Kampioni në fuqi i Evropës, Liverpooli, e eliminoi nga Liga e Kampionëve në mars, përderisa Manchester City e eliminoi 13-herë fituesin e kësaj gare, Real Madridin, javën e kaluar, që do të thotë se një emër i ri do të shkruhet në trofe për herë të parë që nga viti 2015.

Manchester City synon ta fitojë këtë trofe këtë sezon për herë të parë në histori të klubit, mirëpo Silva e pranon se City s’do ta ketë të lehtë arritjen e këtij synimi, përkundër që në garë s’janë më disa klube të mëdha.

“Gjithçka mund të ndodhë. Juventusi u eliminua nga Lyoni, Ne kemi qenë dëshmitarë të shumë befasive në këtë garë gjatë viteve të fundit”, ka thënë Silva.

“Ne humbëm kundër Tottenhamit vitin e kaluar në çerekfinale. Është shumë e vështirë të parashikohen ndeshjet dhe rezultatet në këtë garë”,

“Fakti që Liverpooli e Real Madridi janë eliminuar nuk na i lehtëson neve punën. Do të ishte gabim të mendojmë ashtu. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta dimë se çdo ndeshje do të jetë shumë e vështirë”.

“Të gjithë ekipet që janë në Lisbonë kanë arritur këtu për shkak se e kanë merituar. Ne duhet të jemi në nivelin tonë më të mirë për të fituar ndeshje dhe për të tentuar ta arrijmë finalen”. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme