Si dhe kush e themeloi KF “Shkëndija”? (FOTO)

13:15 | 17 Gusht 2017
arbresh.info

Ishte viti 1979 kur në Tetovë ngado që lëvizje dëgjohej lajmi që do themelohej një klub futbolli me emrin ‘Shkëndija’, shkruan arbresh.info.

Pra, një klub futbolli me emërtim në gjuhën shqipe i cili për emblemën dhe fanellën e tij do t’i kishte ngjyrat e flamurit kombëtar, ngjyrat kuqezi. Ideja për themelimin e klubit rrodhi nga intelektualë e sportdashës të guximshëm tetovarë dhe nga entuziazmi i rinisë së kësaj ane. Iniciativat e këtilla me taban kombëtar në këtë periudhë kohore ishin të vështira sepse regjimi jugosllav, jo vetëm që ishte diskriminues por kishte fobi ndaj çdo gjëje me elemente kombëtare shqiptare.

“Të rinjtë shqiptarë e prisnin me padurim themelimin e këtij klubi nëpërmjet të cilit ata do t’i tregonin e zhvillonin shkathtësitë e tyre në futboll dhe do të garonin në kompeticionet e ligave të vendit. Ndër të parët që e morën iniciativën e themelimit ishin Shinasi Karaxhenemi dhe Xhemaludin Abazi,” thuhet në historikun në faqen zyrtare.

Këta pastaj takohen me Mitat Eminin, i cili disa vite më parë nga fillimi i viteve të ’70-ta, e kishte regjistruar Shoqatën Sportive Shkëndija, në gjirin e së cilës tashmë ishin themeluar disa klube sportive, si Klubi i Volejbollit Shkëndija, Klubi i Karatesë Shkëndija, dhe këtyre tash po u bashkohej edhe Klubi i Futbollit Shkëndija. Karaxhenemi dhe Abazi së bashku me Eminin si kryetar i Shoqatës, shumë shpejt e zgjeruan rrethin e bashkëmendimtarëve dhe formuan këshillin që do të merrej me aktivitetet e mëtejshme. Përpjekjet e tyre këmbëngulëse rezultuan me sukses duke e anëtarësuar klubin në Lidhjen Komunale të Futbolli, shkruan arbresh.info.

Kështu, viti 1979 shënoi fillimin e funksionimit të KF Shkëndija.

“Drejtuesit e parë të KF Shkëndija ishin: Ismailaki Kuriu (kryetar), Ymer Reka (sekretar), Shinasi Karaxhenemi, Mustafa Mustafai, Mahmudnedim Mahmudi, Xhelal Zoti dhe Hajredin Hajredini (anëtarë kryesie). Emrat e lojtarëve që përbënin gjeneratën e parë të KF Shkëndija ishin: Genc Kuriu (kapiten), Nijazi Nuhiu (portier), Gajur Luma, Beqir Xhaferi, Rauf Ramadani, Naser Kuliku, Stojçe Ilievski (portier), Zarif Arifi, Iljaz Shahini, Pajazit Arifi, Shani Fetai, Afrim Jonuzi, Harun Ceka, Hebip Shaqiri, Menan Memeti, Zeni Arifi, Myrtezan Demiri, Besim Ibraimi, Qazim Halili (portier) ndërsa trajneri i parë ishte Xhemaludin Abazi dhe ndihmës-trajner, Abdyrezak Rustemi – Doda.”

Të rinjtë tetovarë e kishin treguar prej vitesh talentin dhe prirjet e tyre jo vetëm për futboll por edhe për shumë disiplina tjera sportive. Që në përballjet e para në fushën e gjelbër, skuadra e Shkëndijës shkëlqente me lojën e bukur që zhvillonte e me rezultatet e larta. Për një kohë të shkurtër klubi arriti të krijojë një skuadër shumë cilësore, kompakte dhe me ambicje të zjarrta për suksese./arbresh.info/

11

Nga e majta (sipër) Menan Memeti, Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Rauf Ramadani, Gajur Luma, Ferit Luma, Pajazit Arifi, Qazim Halili,
(poshtë) Hebib Shaqiri, Afrim Jonuzi, Iljaz Shahini, Faik Ademi, Shani Fetai, Namik Ramadani, Harun Ceka

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme