Shqipëria nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në miqësoren ndaj Jordanisë, të luajtur në “Elbasan Arena”, por kuqezinjtë i dhanë një përgjigje mjaft të mirë trajnerit Panucci, në prag të ndeshjes me Izraelin, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Futbollistët shqiptarë dominuan lojën dhe e kontrolluan atë gjatë gjithë 90 minutave, teksa u mungoi vetëm goli, por vlen të përmendet se debutuan me sukses edhe lojtarë si Uzuni dhe Dermaku, ndërsa dhanë përgjigje pozitive emra si Grezda dhe Mërgim Mavraj.
Sfida nisi mjaft mirë për kuqezinjtë, që morën menjëherë kontrollin e lojës dhe të udhëhequr nga një Eros Grezda në superformë, u hodhën në sulm, në kërkim të golit të avantazhit.
Në pjesë ne parë pati disa tentativa drejt kuadratit të portës së Jordanisë, ndërsa në dy raste, një herë më Gavazajn dhe më pas me Grezdën, kuqezinjtë pretenduan edhe 11-metërsha, por nuk mendoi kështu arbitri kryesor i takimit.
45-minutëshi i parë ishte mjaft i mirë për kuqezinjtë, ndërsa dëmtimi i mbrojtësit Enea Mihaj që në minutat e para të sfidës, ishte ndoshta ndodhia më e keqe për Shqipërinë.
Në pjesën e dytë Panucci propozoi 3 ndërrime, duke hedhur në fushë Bekim Balajn, Emanuele Ndojin dhe sulmuesin beratas që debutoi me kuqezinjtë, Myrto Uzunin.
Edhe në këtë 45-minutësh, Shqipëria e Panuccit krijoi shumë dhe iu afrua disa herë golit, por pa mundur të dërgojë topin në rrjetë dhe të gëzojë ata pak tifozë në shkallët e “Elbasan Arenës”.
Rasti më i mirë ishte ai i Uzunit, që arriti të gjejë shtyllën e portës së Jordanisë, ndërsa këta të fundit thuajse nuk e kërcënuan aspak kuadratin e mbrojtur nga Etrit Berisha.
Tashmë kuqezinjtë do të kërkojnë të lënë pas këtë ndeshje dhe të rikuperojnë energjitë për sfidën e Ber Shevës ndaj Izraelit, të vlefshme për Ligën e Kombeve, takim ku fitorja ka vlerë shumë të rëndësishme për Shqipërinë.
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...