Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në “Friends Arena” të Stokholmit, kuqezinjtë e Sylvinhos shfaqën një fytyrë tërësisht tjetër, krahasuar me atë të tri ditëve më parë në Parma ndaj Kilit.
Një skuadër e kujdesshme në mbrojtje, që mbyllte mirë hapësirat e kundërshtarit dhe dilte me shpejtësi me Armando Brojën, që i vetëm mbajt lart skuadrën dhe peshën e sulmit, duke u shndërruar në një rrezik konstant për mbrojtjen suedeze.
Ishte pikërisht Broja që ndezi entuziazmin e kuqezinjve me një shpërthim karakteristik, që u ndal me faull në zonë, por këtë herë nuk ka VAR dhe arbitri nuk e pa të arsyeshme të vërshëllente penallti për kuqezinjtë.
Më pas edhe një gol i shënuar nga sulmuesi kuqezi, por këtë herë në pozicion jashtë loje, teksa nga ana tjetër Suedi provoi me disa goditje nga distanca, që nuk vunë në vështirësi Thomas Strakoshën.
Pjesa e dytë ishte dukshëm më e mirë për kuqezinjtë, që bënë presing shumë më lart dhe fituan metra në fushë, teksa në disa raste iu afruan edhe golit, por e majta e Asanit dhe e djathta e Bajramit nuk ishin kolauduar siç duhet.
E pikërisht në momentin më të mirë të kuqezinjve, Mihaj harroi pas shpine suedezin Nilsson, që shfrytëzoi mirë një kros të ardhur në zonë dhe gjuajti saktë me kokë, duke shënuar golin e vetëm të takimit.
Kuqezinjtë provuan menjëherë reagimin, edhe falë zëvendësimeve të Sylvinhos, por goditja e Asanit u devijua në këndore, ndërsa Gjimshiti nuk shënjestroi portën me një goditje nga pranë zonës.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin minimal 1-0 për suedezët, megjithatë këtë herë Sylvinho ka arsye për të qenë optimist dhe më në fund për të nisur të mendojë zyrtarisht për Europianin e Gjermanisë, tashmë me idetë shumë më të qarta në lidhje me 23 futbollistët që do të marrë me vete.
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek